Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë në konferencën e parë të Italofonisë, që u zhvillua në Romë, Itali, nga 17-18 nëntor.
Kjo konferencë, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë nën kujdesin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit Antonio Tajani, synon të promovojë gjuhën italiane si mjet komunikimi dhe bashkëpunimi kulturor ndërmjet popujve e vendeve të ndryshme.
Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro theksoi se “kjo konferencë ishte një moment i rëndësishëm bashkimi nën frymën e italofonisë, që na afron përmes gjuhës, arsimit, kulturës dhe historive tona të përbashkëta”.
Në qendër të konferencës ishin temat e forcimit të identitetit të përbashkët, dialogut ndërkulturor, paqes, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë kulturore.
Italofonia u prezantua si platformë për zhvillim dhe rritje ekonomike, duke forcuar marrëdhëniet mes shoqërive civile, institucioneve dhe bashkësive që flasin gjuhën italiane anembanë botës.