Gjakovë, 23 nëntor – Derisa institucionet në Maqedoninë e Veriut ende nuk e kanë zbardhur vdekjen e Daorsa Spahijas në Tetovë, sot në Gjakovë – vendlindjen e saj do të mbahet protestë ku do të kërkohet drejtësi.
Protesta është paralajmëruar për sot (23 nëntor) me fillim në ora 12:00 në Parkun e Qytetit.
“Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent për dhunën psiqike dhe fizike ndaj Doarsa Spahija. Askush s’është mbi ligjin. Ne nuk do të heshtim”, thuhet në njoftimin e protestës.
Mbrëmjen e 5 nëntorit, 24 vjeçarja Daorsa Spahija nga Kosova u gjet e vdekur poshtë objektit të një banese, u raportua që ajo është hedhur nga ballkoni i ndërtesës ku jetonte.
Prokuroria disa orë më vonë konstatoi se vdekja nuk është rezultat i ndonjë krimi, por nga ky institucion ende vazhdojnë hetimet duke mos dhënë detaje.
Megjithatë familjarët dhe miqtë e viktimës thonë se vdekja e Daorsës lidhet me personin H.S. (30) nga Kumanova me të cilin ajo ishte në lidhje, i cili është i njohur për organet e rendit në RMV. Por nga familja nga Kumanova kanë reaguar duke thënë se tentohet të njolloset emri i tyre.