Shkup, 26 nëntor – Dyshim për helmim me ushqim në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” në Karposh. Inspektoratet e mbyllën kuzhinën dhe morën mostra nga ushqimi dhe uji. Fëmijët janë në gjendje stabile.
Për shkak të dyshimit për helmim ushqimi, mbi 80 nxënës të kësaj shkolle të mërkurën (26.11) nuk janë paraqitur në mësim. Nëntë prej tyre kanë raportuar probleme shëndetësore, ndërsa disa kanë përfunduar në klinikat e Shkupit me dhimbje barku dhe të vjella.
Shërbimet inspektuese, pas kontrollimeve gjatë tërë ditës, e mbyllën kuzhinën e shkollës në Karposh. “Janë marrë mostra dhe po kryhen analiza. Rezultatet e para priten nesër”, deklaroi për DW drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (IShP), Marija Andonovska.
Dy nxënës të shtruar në spital – gjendja e tyre është stabile
Dy nxënës janë shtruar në Klinikën e Fëmijëve. Ata janë në gjendje të qëndrueshme, por janë pranuar me simptoma të helmimit – dhimbje barku dhe të vjella.
Siç raportoi “360 gradë”, mes nxënësve që kanë kërkuar ndihmë ishte edhe djali i vogël i kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili prej dy ditësh po trajtohet në spital.
Inspektoratet e mbyllën kuzhinën dhe morën mostra
Pas raportimeve për simptoma, ekipet inspektuese të IShP-së, Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) dhe Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISSH) nisën menjëherë kontroll të jashtëzakonshëm.
Kuzhina është mbyllur si burim i mundshëm infeksioni. Është urdhëruar pastrim i jashtëzakonshëm, dezinfektim dhe kontroll shëndetësor i të punësuarve. Janë marrë mostra nga ushqimi, uji dhe sipërfaqet e punës, si dhe tamponë nga duart, hunda dhe fyti i personelit.
“Sipas kompetencave, ISSH lëshoi vendim për ndalim dhe urdhëroi masa – dezinfektim të jashtëzakonshëm, dezinsektim dhe deratizim”, deklaroi drejtori Kiril Lazov.
Priten rezultatet e analizave
Sipas IShP-së, deri tani janë raportuar nëntë raste me shqetësime të stomakut te nxënësit. Rezultatet laboratorike do të tregojnë nëse bëhet fjalë për helmim ushqimi. Inspektoratet thonë se do të vazhdojnë kontrollet edhe në ndërrimin e dytë nëse është e nevojshme.