Jaupaj: Të gjitha zonat e mbrojtura me plan menaxhimi deri në 2030-ën

nga D. V.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj deklaroi sot se “Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka dorëzuar dosjen e aplikimit për përfshirjen në UNESCO të liqenit të Shkodrës”.

Në aktivitetin ”Për Ty Natyrë”, ku u diskutua mbi prioritetet e mjedisit dhe pyjeve, të cilat do të hyjnë në një fazë të re në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian Jaupaj tha se “Liqeni i Shkodrës është një tjetër pasuri natyrore e Shqipërisë që do t’i bashkohet pasurive botërore të UNESO-s”.

Ai shprehu mirënjohjen ndaj Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me UNESCO-s për rezultatet që kanë arritur gjatë këtyre viteve.

Jaupaj u shpreh se “këto rezultate na motivojnë të bëjmë më shumë në radhë të parë për qytetarët dhe integrimin europian”.

“Deri në 2030 synojmë që 100% të zonave të mbrojtura të kenë planet e tyre të menaxhimit, të finalizojmë rrjetin Natyra 2000 si një kriter i qartë i nënkapitullit të natyrës me BE-në dhe zonat e mbrojtura të shndërrohen në qendra të zhvillimit lokal dhe turizmit dhe inovacionit natyror”, nënvizoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj tha se “sot ne riafirmojmë një nga shtyllat më të qarta të këtij mandati qeverisës: mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës, forcimin e zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve si pasuri kombëtare, duke e lidhur këtë vizion drejtpërdrejt me rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian”.

“Nuk bëhet më fjalë për një model administrimi teknik, por për një politikë qeveritare afatgjatë ku natyra shihet si bazë e zhvillimit ekonomik e social të vendit”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj bëri të ditur edhe nisjen e një strategjie për pyjet, që sipas tij “vjen si harmonizim i shkencës, restaurimit ekologjik, digjitalizimit dhe pyllëzimit inovatv”.

“Në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për 2026 kemi një zë të veçantë për programin e pyllëzimeve me dron, të cilat do të zhvillohen si fillim në Parkun Kombëtar të Dajtit, në bredhin e Hotovës në Përmet, Parkun Kombëtar Lurë-Dejë, duke garantuar rigjenerim të saktë dhe më të shpejtë”, informoi Jaupaj.

Jaupaj tha se “zonat e mbrojtura, pyjet, ujërat, biodiversiteti përkufizojnë atë që quhet identiteti ekologjik i Shqipërisë dhe janë aseti ynë kombëtar”.

Për këtë arsye pas 10 vitesh pas krijimit të AKZM, moratoriumit të pyjeve që dha rezultate duke kthyer qetësinë në mbi 1 milionë ha pyje, sipas tij, ka ardhur momenti për të krijuar një model të ri që i përgjigjet sfidave, por edhe ambicieve të kohës.

Jaupaj tha se “e mendojmë të udhës që këtij institucioni t’i bashkohet edhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve, si institucion politikbërës dhe monitorues, duke krijuar një strukturë të vetme, me standard të unifikuar dhe zinxhir të qartë përgjegjësish. Ky bashkim nuk është thjesht teknik, por transformues, sepse përmes tij mund të sigurojmë:menaxhim unik për pyjet dhe zonat e mbrojtura, vendimmarrje e bazuar në të dhëna shkencore, monitorim të biodiversitetit dhe kontroll i qartë i territorit”.

“Me punë gjatë këtyre viteve kemi treguar që zonat e mbrojtura mund të jenë katalizator të zhvillimit lokal dhe përfitues janë komunitetet që jetojnë në këto zona. Parku Kombëtar i Vjosës është një shembull i jashtëzakonshëm, pasi është pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s”, tha Jaupaj.

Jaupaj tha se “një sfidë e vështirë, por aspak e pamundur, është menaxhimi i rreziqeve dhe siguria natyrore: Siç na tregoi kjo verë në Europë dhe në Shqipëri, pyjet janë vulnerabël ndaj kushteve ekstreme të të nxehtit për shkak të ndryshimeve klimatike, por edhe të dashakeqësve nga ana tjetër. Bashkë me Agjencinë e Emergjencave Civile dhe shumë partnerë, po bashkëpunojmë për sistemin e ri të paralajmërimit të hershëm për zjarret, bazuar në sensorë, analiza satelitore dhe modele klimatike, do të mundësojë reagim të shpejtë dhe të koordinuar me njësi të specializuara për terrene malore”.

Kjo, vijoi Jaupaj, sigurisht nuk është vetëm mbrojtje e natyrës, por po aq siguri për komunitetet, ekonominë dhe vetë jetën.

“Por ky vizion nuk ka kuptim pa njerëzit, pa të rinjtë. Për këtë arsye po nisim edhe një program të ri, një nismë kombëtare të quajtur “Natyra për të Gjithë”, si një thirrje për edukim mjedisor, vullnetarizëm dhe rol aktiv të të rinjve në mbrojtjen e natyrës. Zonat e mbrojtura mund të jenë atelietë e të rinjve, habitatet e biologëve, strehat e udhërrëfyesve ekoturistikë që falë platformës së shtigjeve e kanë tashmë punën edhe më të thjeshtë, dhe sigurisht mikpritëse të komuniteteve lokale”, theksoi Jaupaj duke shtuar se natyra që ruajmë përmes vizionit sot është trashëgimia që do të flasë për ne nesër.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More