Berisha: Projektligji i ri bën pjesë të administratës ushtrinë, diplomacinë dhe universitetet

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se projektligji i ri për administratën shtetërore po asgjëson institucionet kushtetuese.

Berisha e cilësoi projektligjin “si një paçavure e vërtetë, i cili në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total”.

Sipas Berishës, me ligjin e ri qeveria po bën pjesë të administratës edhe ushtrinë, diplomacinë dhe universitetet

“Pika 2 e nenit 1, e ndryshuar si vijon: Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit si dhe forcat e armatosura janë pjesë e administratës që rregullohen me ligj të posaçëm. Në kuptimin më të gjerë, administratë shtetërore është çdo rrogëtar i këtij shteti. Por fusha e veprimit të ligjit për administratën publike ka të bëjë me këshillin e ministrave”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, fusha e veprimit për institucionet e arsimit të lartë është një ndarje mes këshillit të ministrave, presidentit të Republikës dhe bordeve ndërsa fusha e veprimit mes forcave të armatosura është një ndarje midis shefit të shtabit të përgjithshëm, presidentit të Republikës dhe kryeministrit.

“Në qoftë se ti merr dhe i fut këto dinakërisht në ligjin për administratën shtetërore, por që kanë për zot kryeministrin e vendit, ti faktikisht asgjëson këto si institucione kushtetuese dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh”, tha Berisha.

Sipas Berishës, me këtë projektligj ka një keqpërdorim absolut antikushtetues të forcave të armatosura.

“Theksoj se në Kushtetutë, shtabi i përgjithshëm është institucion kushtetues. Se në buxhetin e shtetit është institucion me buxhet të veçantë nga ministria. Përfshirja e forcave të armatosura në ombrellën e këtij ligji legjitimon keqpërdorimin e tyre në çdo rast për interesa mafioze apo të pushtetit. Por ka edhe një qëllim tjetër madhor. Qëllimi madhor tjetër janë pronat e ushtrisë”, tha Berisha.

“Ky është një atentat ndaj Kushtetutës. Ky është një akt mafioz shumë i rrezikshëm që kërcënon sigurinë kombëtare, sepse ata të cilët ndërtojnë planin e përhapjes së forcave të armatosura, ata kanë parasysh mbi të gjitha rreziqet potenciale të sulmeve dhe pikat më të rëndësishme strategjike që ushtria duhet të ketë në dispozicion në çdo rast për të përmbushur misionin e saj”, tha Berisha.

Berisha shtoi po ashtu se me këtë ndryshim ligjor “qeveria përligj dhe krijon pikërisht bazën ligjore të funksionimit të përfaqësive diplomatike si seksione të partisë”.

Sa i përket universiteteve, Berisha tha se “konformizmi i universiteteve me këto ndryshime ligjore do të ishte një akt vetëvrasës për lirinë akademike”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More