Grante, lehtësi fiskale dhe agjenci e re, Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet në ligjin për “Startup-et”

nga L. M

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat i ka dhënë dritën jeshile ndryshimeve të rëndësishme në ligjin për mbështetjen e startup-eve, duke hapur rrugën për më shumë financime dhe lehtësi burokratike për sipërmarrësit e rinj.

Në mbledhjen e drejtuar nga kryetarja Milva Ekonomi, komisioni shqyrtoi dhe miratoi në tërësi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 25/2022”, një nismë e deputetit Klevis Jahaj që synon të harmonizojë tregun shqiptar të inovacionit me atë europian.

Çfarë përfitojnë sipërmarrësit?

Gjatë prezantimit të nismës, deputeti Jahaj shpjegoi se ndryshimet ligjore nuk janë thjesht kozmetike, por prekin thelbin e bërjes së biznesit inovativ në Shqipëri. Projektligji parashikon një paketë të plotë mbështetëse që përfshin financim të drejtpërdrejtë; dhënia e granteve dhe skemave të bashkëinvestimit; lehtësi fiskale si reduktim i barrës tatimore për startup-et në faza të hershme; forcimi i masave për mbrojtjen e pronësisë intelektuale; krijimin dhe fuqizimin e Agjencisë “Startup Albania”, e cila do të ketë detyrën specifike të administrojë dhe monitorojë të gjitha programet mbështetëse.

Sipas njoftimit, një risi e këtij projektligji është lidhja e drejtpërdrejtë me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Sipas relatorëve, “ligji mundëson instrumente financiare specifike për startup-et që operojnë në fushën e ekonomisë së gjelbër”.

Relatori i çështjes, Adi Qose, theksoi se ky projektligj nuk rëndon buxhetin e shtetit, por rrit efektivitetin e përdorimit të burimeve financiare ekzistuese dhe, më e rëndësishmja, rrit kapacitetet për të përthithur fondet e BE-së.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Martin Kajo, vlerësoi se “këto ndryshime do të rrisin konkurrueshmërinë e vendit dhe do të nxisin krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin e teknologjisë”.

Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi projektligjin nen për nen dhe në tërësi. Fjala e fundit tashmë i takon seancës plenare, ku pritet votimi përfundimtar për ta kthyer nismën në ligj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More