Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, theksoi se stabiliteti ekonomik dhe reformat fiskale e kanë kthyer Shqipërinë në një terren të sigurt për thithjen e financimeve klimatike.
Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Mjedisit, Malaj argumentoi se financimi klimatik nuk është thjesht çështje teknike, por bazohet te besimi në qeverisjen ekonomike, duke prezantuar treguesit pozitivë që e bëjnë vendin të besueshëm për partnerët ndërkombëtarë.
Ministri Malaj, në fjalën e tij, theksoi se Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri të lartë ekonomike, duke përballuar goditjet e jashtme dhe duke dalë më e fortë prej tyre.
“Në vitin 2025, rritja e PBB-së së Shqipërisë arriti rreth 4%, duke na renditur ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë,” tha Malaj, duke shtuar se vlerësimet pozitive nga “Standard & Poor’s” dhe “Moody’s” konfirmojnë besimin e tregjeve.
Një tjetër tregues kyç është disiplina fiskale. Sipas Ministrit, falë rregullave të forta fiskale, borxhi publik pritet të zbresë në nivelin 53% të PBB-së deri në fund të vitit 2025. Kjo hapësirë fiskale e krijuar, sipas tij, “mundëson bashkëfinancimin e projekteve klimatike dhe ofrimin e garancive sovrane“.
Malaj bëri të ditur se miratimi i Agjendës së Reformave në tetor 2024, si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së, ka zhbllokuar një paketë financiare prej 922.1 milionë eurosh për periudhën 2024–2027, ku tranzicioni i gjelbër zë një vend qendror.
Për të mbështetur këtë vizion, qeveria po aplikon masa konkrete si zbatimin dhe rritjen graduale të taksës së karbonit mbi qymyrin; orientimin e subvencioneve drejt efiçencës energjetike; integrimin e 14 programeve buxhetore që përfshijnë konsiderata klimatike për periudhën 2026–2028.
“Partnerët e financimit klimatik kanë nevojë për siguri se burimet e tyre do të menaxhohen me përgjegjësi,” u shpreh Malaj. Ai garantoi se Shqipëria po punon ngushtë me institucione si Banka Botërore, BEI dhe BERZH për të siguruar që reformat të jenë koherente dhe të përkthehen në ndikim të matshëm klimatik.