Policia apel qytetarëve: Kujdes me mashtrimet online, oferta të rreme për të marrë kredi

nga D. V.

Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informoi sot qytetarët në lidhje me raste të mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi.

Sipas policisë “janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese”.

Policia nënvizon se këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët që “të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta; Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin; Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare”.

Gjithashtu policia fton qytetarët që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More