Shkup, 1 qershor – Pas mbarimit të mbrëmjes së maturës, nxënësit e gjimnazit “Zef Lush Marku” hynë në testimin e parë ekstern.
Ajo që bie në sy është stresi i nxënësve që kanë pak para se të hyjnë në testim.
Ky stres ishte edhe arsyeja që as nuk donin të flisnin para kamerës.
Për dallim nga vitet e kaluara, kur provimi është mbajtur nëpër klasa, këtë herë testimi zhvillohet në korridore dhe në salla e sporti, me qëllim parandalimin e kopjeve.
Drejtori i gjimnazit Arben Memeti, tregoi se këtu janë 436 maturantë. Ata kanë mbajtur edhe orë shtesë me qëllim përsëritjen e materialit nga viti i parë deri në të katërtin.
“Pas përfundimit të maturës të gjithë nxënësit e kanë pak stresin më të madh dhe shpresoj që të gjithë nxënësit do t’ia dalin. Pas përfundimit të maturës të gjithë nxënësit me vetë-vullnet dhe të gjithë profesorët e gjuhës shqipe kanë shprehur dëshirë që t’iu ndihmojnë nxënësve. Domethënë u kanë kërkuar që t’u ndihmojnë nxënësve edhe pas përfundimit të vitit shkollor, dhe u kanë dalë në ndihmë. Janë përgatitur dhe i kanë përsëritur materialet prej vitit të parë të dytë të tretë dhe katërt”, tha Arben Memeti, drejtor i shkollës së mesme “Zef Lush Marku”.
Por çfarë do të ndodhë me nxënësit të cilët nuk do ta kalojnë testin?!
“Ata nxënës të cilët nuk do ta kalojnë testin do t’i nënshtrohen afatit të dytë në gusht. Shpresoj që të gjithë maturantët janë të përgatitur, ju urojmë suksese dhe shpresojmë ta kalojnë”, pohoi Arben Memeti, drejtor i shkollës së mesme “Zef Lush Marku”.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri sot ka vizituar shkollën mesme “Niko Nestor” në Strugë, nga ku tregoi se provimet do të vazhdojnë deri më 8 qershor dhe rezultatet paraprake pritet të jenë në dalin më 8 korrik.
Provimi përmban dy lëndë të jashtme, dy të brendshme dhe një detyrë projekti, ku gjuha amtare mbetet e detyrueshme për të gjithë.
Në gjithë shtetin janë rreth 15.000 nxënës që mbarojnë arsimin e mesëm dhe i nënshtrohen provimit të parë. Sipas të dhënave të Qendrës së Provimeve, organizator i maturës shtetërore, për provimin në gjuhë dhe letërsi maqedonase janë regjistruar 10.088 kandidatë, për gjuhë dhe letërsi shqipe 4.189 dhe për gjuhë dhe letërsi turke 315 kandidatë.