Shkup, 3 qershor – Në Shkup do të mbahet Forumi i katërt socio-ekologjik (FSE) nën organizim të Fondacionit “Fridrih Ebert”. Në forum do të diskutohet për politikat energjetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Forumi socio-ekologjik do të hapet me prezantime hyrëse nga drejtori i Fondacionit “Fridrih Ebert”- zyra Shkup, Piter Hurelbrink dhe menaxherja projektuese në fondacion Ivana Vuçkova.
“Në panelin e parë me titull “Si të sigurohet transformimi i drejtë shoqëror i energjisë në një epokë të varfërisë dhe pabarazisë në rritje?” do të marrin pjesë deputeti dhe ish zëvendëskryeministër për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, kryetari i Komisioni Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski, përfaqësuesja e Unionit Ndërkombëtarë të Qiramarrësve, Barbara Stinbergen, si dhe kryetari i Komunës së Tuzlës, Bosnjë dhe Hercegovinë, Zijad Lugaviç”, njoftojnë organizatorët.
Në forum, janë paraparë edhe pesë panel diskutime në të cilat ekspertët e energjetikës, kryetarët e komunave, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe liderët e të rinjve do të diskutojnë për nevojat dhe mundësitë për transformim të drejtë social të energjisë.
“Sfidat mjedisore, agjenda e gjelbër, promovimi i kohezionit social përmes investimit në punësim, arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe shërbime cilësore për përfshirje dhe mbrojtje sociale, do të jenë në krye të agjendës së forumit”, theksojnë nga Fondacioni “Fridrih Ebert” – zyra Shkup.