A janë normal politikanët në Maqedoni? Thonë se gënjeshtrat gjatë fushatës janë gjë normale!

nga I Z

Shkup, 5 qershor – Sot në Shkup u prezantuar Raporti për Etikë Zgjedhore: Udhëzues për politikanë të virtytshëm, nën organizim të Forumit të Politikave të Arsyeshme. Studimi përfshinë tema lidhur me transparencën brendapartiake gjatë zgjedhjes së kandidatëve presidencialë, zgjedhjes së kandidatëve për deputetë, respektim të standardeve etike gjatë kohës zgjedhore, reklamimit të premtimeve, luftës kundër korrupsionit dhe çështje tjera.
Gjatë prezantimit u theksuan shumë çështje dhe problematika, por përshtypje bëri atë që e tha eksperti dhe publicisti Ibrahim Mehmeti, i cili preki dukurinë e prezantimit të gënjeshtrës si diçka normale gjatë fushatave parazgjedhore, shkruan Zhurnal.

“Mendoj se duhet të jemi më ambicioz dhe të kërkojmë nga politikanët në fushatë të jenë të ndershëm, pasi shumë herë edhe unë kam qenë pjesëmarrës në debate ku pranohet si normalitet, nëse politikanët japin premtime të rrejshme ose thjeshtë gënjen për ndonjë gjë, e cila mund të konfirmohet se është e rrejshme, thuhet po mirë është fushatë dhe kjo është punë normale. Mendoj me të vërtetë se kjo nuk është normale dhe ne nuk duhet ta pranojmë atë”, theksoi Ibrahim Mehmeti.

Mehmeti nuk tha diçka që nuk e dimë, por i dha një dimension të ri kësaj dukurie negative, që gjatë kohë është prezente në skenën politike tek ne. Madje, krijohet bindja se sa më shumë zgjedhje që ndodhin, aq më shumë gënjeshtra prezantohet si një mjet legjitim për të fituar pikë politike para opinionit dhe për të fituar votat e votuesve. është një bastardim i llojit të vet, të parimit edhe ashtu bastard, se “qëllimi i arsyeton mjetet”.

Kjo është një nga arsyet kryesore pse politika tek ne akoma nuk është në nivelin që do të duhej të jetë në një vend që gjendet para portave të Bashkimit Evropian. Kjo tregon se ne jemi afruar Evropës jo pse e meriton klasa jonë politike, por se Evropa na don më shumë se sa që meritojmë fundja në përgjithësi si shoqëri, sepse gjithsesi që edhe tek opinioni në përgjithësi qëndron faji që ende kalojnë pa u dënuar gënjeshtrat banale të politikanëve. Por gënjeshtrat nuk janë problemi i vetëm, sepse edhe retorika agresive dhe fushata negative gjatë periudhës së zgjedhjeve vazhdon të jetë sfidë për shoqërinë tonë, shkruan Zhurnal. Me të drejtë ekspertët theksojnë në çdo rast dhe paraqitje se zgjedhjet duhet të jenë luftë e ideve, vizioneve dhe politikave për zgjidhjen e çështjeve publike se sa vlerësimi i tjetrit, që tek ne gati se gjithmonë bëhet nga prizmi negativ.

“Përshtypja e kësaj analize, bazuar në të dhëna është se qytetarët shumë pak kanë raste të njoftohen se për çfarë angazhohen partitë. Theksi në këto zgjedhje ishte përplasja mes Ahmetit dhe Mickoskit, të themi theksi më negativ shikuar nga aspekti etik, i cili me të vërtetë solli një shije të keqe në zgjedhje”, tha Gordan Georgiev, Forumi për Politika të Arsyeshme.
Sipas ekspertëve retorika negative mbetet sfidë për shtetin, por mbi të gjitha për qytetarët, që duhet t’ia bëjnë “diss” kësaj retorike çdo herë që përdoret në fushatë, sepse në këtë mënyrë tregojmë që plotësojmë kushtet të jemi qytetarë të Evropës së bashkuar./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More