Shkup, 14 qershor – Prokuroria njofton se Gjykata Penale ka shqiptuar dënime me kusht për 7 pjesëmarrësit në ngjarjet në M-NAV, duke sqaruar se në bazë të provave që kanë marrë nga Eurocontrol, e kanë rikualifikuar veprën penale.
Kështu, grupi i zyrtarit të BDI-së Bekim Neziri, në vend të veprës “rrezikim i komunikacionit ajror” është akuzuar për veprën “pengimi i zyrtarit në kryerjen e veprës zyrtare”, pas çka u pajtuan edhe të akuzuarit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ndryshe, nëse të akuzuarit për ngjarjet në M-NAV do të ndiqeshin penalisht për rrezikim të sigurisë së trafikut ajror, dënimet do të ishin minimalisht me dhjetë vjet burg.
Incidenti ndodhi në fillim të janarit kur një kontrollor i trafikut ajror u sulmua nga një grup që hyri në ndërtesën M-NAV. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kullës së fluturimit nga ku drejtohet trafiku ajror.