Shkup, 4 korrik – Me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i dërgoi mesazh urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Majk Xhonson.
Në mesazhin e urimit nga kryetari Gashi, thuhet në kumtesën e pres shërbimit të Kuvendit, theksohet se Dita e Pavarësisë i përkujton vlerat e qëndrueshme të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, si parime që kanë qenë fener shprese dhe frymëzimi për njerëzit në mbarë botën, duke përfshirë këtu edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Dita, 4 Korriku, ka rëndësi të madhe. Ajo e shënon lindjen e kombit Tuaj dhe vlerat e përhershme të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë. Këto parime kanë qenë fener shprese dhe frymëzimi për njerëzit në mbarë botën, duke përfshirë këtu edhe në Maqedoninë e Veriut.Partneriteti i fortë dhe i qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve tona është ndërtuar mbi këto vlera të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë. Shtetet e Bashkuara janë mik dhe aleat i vazhdueshëm i Maqedonisë së Veriut, duke mbështetur aspiratat tona për demokraci, prosperitet dhe integrim në komunitetin euroatlantik.Derisa e festojmë këtë ditë të rëndësishme, presim me padurim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet shteteve tona dhe kemi besim se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të zhvillohet në vitet në vijim”, thuhet në urimin e dërguar nga kryetari i Kuvendit, Gashi.