Shkup, 7 korrik – Qendra për Komunikim Civil (QKC) ka publikuar renditjen e Qeverisë, ministrive dhe komunave sipas 32 treguesve të performancës kundër korrupsionit në prokurimin publik.
Institucionet janë të vendosura në tri zona – e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër në varësi të pikëve të fituara për mënyrën se si realizojnë prokurimet publike. 100% do të thotë maksimum dhe 0% do të thotë asnjë mbrojtje kundër korrupsionit.
Asnjë institucion nuk ndodhet në zonën e gjelbër, të mbrojtjes së lartë ndaj korrupsionit, me një performancë antikorrupsion mbi 80%.
4 ministri dhe 43 komuna janë në zonën e kuqe, pra prokurimet publike të tyre kryhen me nivel të ulët të mbrojtjes ndaj korrupsionit sepse kanë më pak se 50%.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive kanë ekspozimin më të madh ndaj korrupsionit.
Ndër komunat, niveli më i ulët i performancës kundër korrupsionit në prokurimin publik është përcaktuar në Kratovë dhe Gostivar. Në zonën e kuqe është qyteti i Shkupit, si dhe 40 komuna të tjera.
Performanca më e mirë mes ministrive është Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, me një nivel të performancës kundër korrupsionit prej 72%. Ndër komunat performancën më të mirë kundër korrupsionit në prokurimin publik e ka Komuna e Kavadarit me 70%, si dhe Velesi dhe Probishtipi me 66%.
Niveli i ulët nuk do të thotë domosdoshmërisht korrupsion në prokurimin publik të atij institucioni me çdo kusht, por që nuk ndërmerren të gjitha masat e mundshme për parandalimin e tij, prandaj edhe mundësia që të ndodhë në këto institucione është më e madhe.