A mund të dalë Gashi më i “fuqishëm” pas interpelancës së “Levicës” më 13 shtator?

nga I Z

Shkup, 21 gusht – “Levica” e Dimitar Apasievit parashtroi interpelancë ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, për shkak se kryeparlamentari bëri lutje për viktimat e Gjenocidit në Srebrenicë, në përkujtimin e organizuar me këtë rast në Kuvend. Duke e akuzuar Gashin se po shkel karakterin sekular të shtetit, “Levica” shpresonte se edhe nëse nuk arrin qëllimin ta shkarkon, së paku do e dëmton imazhin e Gashit dhe subjekteve politike që nuk do e përkrahin shkarkimin e tij.
Mirëpo si duket do të ndodhë e kundërta e asaj që kishte planifikuar “Levica” duke parashtruar këtë interpelancë. Gashi jo vetëm që nuk do të shkarkohet, por me 13 shtator kur mbahet seanca për interpelancën, me shumë gjasë mund të marë përkrahje më të madhe se që mori në fund të uajit maj, kur me 76 vota ‘pro’ u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Pas përkrahjes së fuqishme që ka marë nga koalicioni VLEN, sot edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka bë të ditur se partia e tij VMRO-DPMN, nuk do e përkrahë interpelancën për Gashin.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vënies së gurthemelit për ndërtimin e tregut të qytetit në Negotinë, Mickoski tha se partia e tij nuk sheh arsye për të interpeluar kryeparlamentarin Gashi, e madje e ka vlerësuar si kryetar më të mirë Kuvendi se paraardhësi i tij. “Mënyra se si sillet si kryetar në Kuvend, si i udhëheq seancat dhe gjithçka që ndodh atje paraqet sjellje seriozisht të ndryshme nga ajo që ka bërë paraardhësi i tij”, tha Mickoski.

Sipas tij, koalicioni LSDM-BDI-Levica ka motivet e veta për paraqitjen e një interpelance të tillë.
“Unë supozoj se për këtë koalicion politikanët e rangut të Artan Grubit, Talat Xhaferit, Bujar Osmanit dhe Ali Ahmetit janë më të mirë se situata aktuale, por nuk mendoj kështu dhe prandaj nuk do ta mbështesim këtë interpelance”, ka thënë Mickoski.

Ndërkohë Gashi është vendosur në shënjestër të kritikave të opozitës maqedonase për shkak se udhëtoi me shoqërim zyrtar në Kosovë, për të marë pjesë në një gëzim familjar. Pikërisht këto sulme nga opozita maqedonase, kanë zgjeruar përkrahjen për Gashin jo etëm te koalicioni në pushtet, por edhe tek opozita shqiptare, respektivisht tek Fronti Evropian.

Fillimisht, ish ministri i drejtësisë, njëherit nënkryetarë i Aleancës për Shqiptarët, Krenar Lloga përmes një postimi në profilin e tij në FB ka reaguar ndaj linçimit që po i bëhet kryparlamentarit Afrim Gashi duke shkruar se pala maqedonase duhet të mësohet se Afrim Gashi është kryetar i Kuvendit 24/7, madje edhe në ndeja private, dhe bashkëqytetarët tanë duhet të mësohen me këtë gjë, ashtu siç e kishin të pamundur ta mësonin që Talat Xhaferi ishte kryeministër i këtij vendi!.

“Afrim Gashi është kryetar i Kuvendit 24/7, madje edhe në ndeja private, dhe bashkëqytetarët tanë duhet të mësohen me këtë gjë, ashtu siç e kishin të pamundur ta mësonin që Talat Xhaferi ishte kryeministër i këtij vendi.

Histeria antishqiptare dhe stigmatizimi që po mbizotëronë që para zgjedhjeve parlamentare, në vend që të zbehen, po marrin hov, jo vetëm institucionalisht, por edhe në retorikën publike, mediatike dhe politike. Sulmet ndaj Talat Xhaferit, Vjosa Osmanit dhe Afrim Gashit janë përpjekje për të shëruar komplekset e atyre që nuk mund të pranojnë se edhe shqiptarët mund të jenë të barabartë me ta. Duke qëndruar disa javë në vendlindjen time në Strugë dhe duke dalë shpesh edhe në Ohër, çdo ditë sheh rrugët që bllokohen nga përcjellja e Presidentes Siljanovska, mund ta shihni atë duke bërë plazh me nipër e mbesa dhe njerëz të tjerë, dhe që ruhet nga të katër anët nga organet e sigurisë, Policia Ujore dhe Ushtria. Kjo nuk përbën lajmç përkundrazi, me të drejtë, duhet respektuar protokollet. Sot, kryeministri Mickovski u takua me ish-Presidentin e Shqipërisë, Meta. Ai nuk shkoi as me veturë private, as pa sigurim, edhe pse takimi ishte joformal, duke qënë edhe një miqësie të vjetër mes tyre. Ai ka të drejtë t’i gëzojë të gjitha privilegjet dhe protokollet shtetërore 24/7 dhe askush nuk e stigmatizon atë, me të drejtë.

Po pse e bëjnë këtë me Gashin? E thjesht duan të na bëjnë të dukemi të padenjë për të mbajtur pozicione të larta shtetërore dhe publike, akoma edhe pas 3 dekadave nuk mund të pajtohen me idenë se edhe të tjerët janë të aftë si ata, ose ndoshta edhe më të mirë se ato.”, shkruan Lloga.

Në linjë gati të njëjtë është prononcuar edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi, ish ministër i ekonomisë.

“Deri në fund e ka përkrahjen kryetari i Kuvendit, që të kontrollojë, të bëjë mbikëqyrje të punës së ministrive”, tha Bekteshi nga BDI, duke shtuar se kryetari i Kuvendit është korrektues i ministrive dhe se ministritë nuk mund t’i kërkojnë llogari njeriut të dytë në shtet.

“Nuk është MPB institucion që i kërkon llogari kryetarit të Kuvendit, kryetari i Kuvendit me hierarki në shtet është njeriu i dytë, sa i përket qeverisjes, është Kuvendi dhe kryetari i Kuvendit të cilët e kontrollojnë punën e qeverisë. Nuk është kryeministri, e më së paku ministri i Punëve të Brendshme që mund t’i kërkojë llogari kryetarit të Kuvendit. Nëse kisha dashur të flas politikisht, për poena politike, për politikë ditore, do të kisha thënë se është i paaftë z.Afrim Gashi të udhëheq Kuvendin, nuk është ashtu, duhet të flasim realitetin, por mos i devalvojnë ato pozita, të cilat i kanë udhëhequr me profesionalizëm bashkëkombësit e tyre”, deklaroi Bekteshi.

Grupi parlamentar i “Levicës” ka dorëzuar në Kuvend një interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi në fillim të këtij muaji . Interpelanca është futur në rendin e ditës të seancës së 13-të plenare të planifikuar për më 3 shtator. Për të shkarkuar kryeparlamentarin Gashi nevojiten gjithsej 61 vota të deputetëve, një mision i pamundur për momentin. Dilema e vetme mbetet nëse deputetët e LSDM do të votojnë pro iniciativës së Levicës, ose nuk do të votojnë fare, por ende nuk dihet edhe veprimi konkret i opozitës shqiptare nëse gashin do e përkrahin duke votuar “kundër” interpelancës, ose duke mos votuar fare./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More