Shkup, 6 shtator – Grupi NELT dhe UNICEF nënshkruan sot Marrëveshje Bashkëpunimi për Avancimin e Arsimit Profesional, me të cilën nxënësit e shkollave të mesme profesionale do të kenë mundësinë e marrjes së mësimeve praktik për aftësime në fushën e mjedisit. Në këtë aktivitet folën ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, përfaqësuesja e UNICEF-it për Maqedoninë e Veriut Lesli Miller, si dhe drejtori ekzekutiv i NELT-it Sashko Blazhevski.
Siç u theksua në këtë aktivitet, kjo nismë do të ofrojë mundësi për mësim praktik dhe zhvillimin e praktikës në ndërmarrjet publike dhe private në të gjithë vendin për mbi 500 nxënës të arsimit profesional.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Janevska, në fjalën e saj theksoi se arsimi i mesëm profesional, veçanërisht ai i dyfishtë, është vendi i duhur ku duhet të zbatohet kjo iniciativë, në kuadër të trajnimeve praktike ku nxënësit të fitojnë aftësime në kushte reale të prodhimit.
“Kjo nismë do t’u mundësojë nxënësve të fitojnë përvojë dhe njohuri të vlefshme që do t’i bëjnë ata më konkurrues në tregun e punës, duke kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë. Një bashkëpunim i tillë është shumë i rëndësishëm edhe nga një aspekt tjetër. Kompanitë demonstrojnë përgjegjësinë e tyre sociale me komunitetet lokale dhe përkushtimin ndaj projekteve mjedisore. Në të njëjtën kohë, kjo u jep shtysë edhe kompanive të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë, e cila është veçanërisht e rëndësishme për vendin tonë, theksoi Janevska.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, thotë se përvetësimi i praktikave moderne, si dhe përgatitja e programeve që do t’u mundësojnë fëmijëve të përballen me ndryshimet klimatike, janë thelbësore.

“Nevoja për njohuri për ndryshimet fizike atmosferike dhe se si ato ndikojnë në ndryshimet klimatike janë shumë të rëndësishme, veçanërisht në krijimin e programeve inovative që do të ndihmojnë në reduktimin e ndikimeve negative në sektorë dhe departamente të ndjeshme. Multidisiplinariteti i këtij problemi ofron zgjidhje të tilla, duke njohur karakteristikave fizike të klimës, do të ndihmojë në të ardhmen për t’u përballuar me të gjitha problemet e tjera që sjellin ndryshimet klimatike”, theksoi Mexhiti.
Njohuritë për ndryshimet klimatike, shtoi Mexhiti, do t’u mundësojnë të rinjve të jenë më të përgatitur për t’u përballur me problemet, si dhe të ndërtojnë një shoqëri më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike me emetim të ulët të gazrave ndotës.
Përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miller, nga ana tjetër, thotë se duke forcuar kornizën për mësimin praktik, jo vetëm që do të ndihmojmë nxënësit e arsimit profesional të fitojnë aftësime mjedisore të zbatueshme gjerësisht, por gjithashtu do të kontribuojmë në zhvillimin e një fuqie punëtore që do të jetë në gjendje të trajtojë sfidat urgjente ekologjike.
Drejtori ekzekutiv i NELT-it, Sashko Blazhevski, theksoi se me një investim prej 330.000 dollarësh amerikanë, kompania do të kontribuojë në forcimin e mësimit praktik në shkollat anembanë vendit.
“Me një investim prej 330.000 dollarësh amerikanë për tre vjet, do t’i forcojmë të rinjtë përmes edukimit praktik në shkolla, duke i ndihmuar që të përgatiten siç duhet për sfidat mjedisore dhe ndryshimet klimatike që janë realiteti ynë”, tha Bllazhevski.