Shkup, 10 shtator – Korrupsioni si tema më e përfolur në vendin tonë vazhdon të mbetet brengë e shoqërisë e premtim i politikanëve për çrrënjosje totale. Por, kjo sa do të arrihet mbetet të shihet në vazhdim, edhe pse është shumë e vështirë sepse korrupsioni nuk është avull të largohet porsa hapen dritaret. Korrupsioni si fenomen ka depërtuar në çdo pore të shoqërisë prandaj duhet punë serioze dhe me përkushtim e gradule deri në zbutjen e largimin total të këtij fenomeni. Kryeministri Mickovski që nga ardhja në pushtet ka paralajmëruar betejë të ashpër kundër korrupsionit në çdo fushë, por akoma nuk janë parë lëvizje konkrete në këtë drejtim, shkruan Zhurnal.
Korrupsioni nuk zhduket brenda natës –
Korrupsioni nuk është diçka që shteti mund ta zhdukë menjëherë, nuk zgjidhet as me deklarata, pasi korrupsioni në vendin tonë me dekada, deklaroi për Alsat ish-anëtari i Antikorrupsionit Arif Musa, duke komentuar deklaratat e kryeministrit Mickoski se një nga prioritetet kryesore të kësaj Qeverie është pikërisht lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Sipas Musës, korrupsioni mund të çrrënjoset vetëm me veprime, e jo me deklarata.
“Duhet të fillojë tani sipas meje duke shqyrtuar gjendjen pasurore të të gjithë njerëzve që kanë qenë në pushtet dhe kanë të dhëna në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nga viti 2002 apo 2003 e këtej, kur ligji u miratua dhe kur ligji hyri në fuqi për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Pra kjo gjë është reale, këtu nuk ka deklarata deklarative ose le të themi disa deklarata për nevoja politike”, tha Arif Musa, ish-anëtar i Antikorrupsionit, për Alsat.
Gjithashtu, Musa vlerëson se për ta rikthyer besimin e qytetarëve është e nevojshme që rastet të zbardhen më shpejt nga organet kompetente.
“Qeveria duhet të fillojë me një segment të korrupsionit dhe ta çojë deri në fund, të ketë rezultat, nëse nuk ka rezultat pasi deri më tani nuk ka pasur rezultat pothuajse në asnjë fushë, pra kjo do të thotë se për pesë vjet, gjashtë vjet të zgjasë rasti për korrupsion në organet që janë përgjegjëse për luftën e korrupsionit. Atëherë këtu nuk do të vihet në dyshim besimi i qytetarëve. E kështu, me dekada, me deklarata, nuk ia dalim, korrupsionin nuk mund ta zhdukim”, tha Arif Musa, ish-anëtar i Antikorrupsionit, për Alsat.
Kryeministri Mickoski që nga ardhja në pushtet ka paralajmëruar betejë të ashpër kundër korrupsionit në çdo fushë, ndërsa në deklaratën e tij të një dite më parë me rastin e 33 vjetorit të pavarësisë tha se “merr përsipër obligim personal që pa kompromis ta udhëheq këtë luftë me vendosmëri, duke theksuar se është problem i gjithë shoqërisë. Qeveria tashmë ka kërkuar shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor, si dhe ka paralajmëruar ngritjen e një organi të posaçëm dhe hapjen e një linje telefonike përmes së cilës qytetarët do të mund të denoncojnë korrupsionin apo sjelljet devijuese në institucione, me qëllim që siç theksohet, te kthehet besimi i qytetarëve në organet gjyqësore, i cili tani është vetëm dy për qind.
Barometri korrupsionit: më shumë raste të turbullta se sa të pastra –
Barometri për Korrupsion i muajit korrik i përpunuar nga Transparency International-Maqedoni ka regjistruar më shumë raste të “turbullta” se sa të “qarta”. Gjatë aktivitet për monitorimin e rasteve të lidhura me sjelljet korruptive dhe luftën kundër korrupsionit, si raste të trubullta janë evidentuar hetimi nga Prokuroria ndaj dy kandidatëve nga Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, mos dorëzimi i listave anketuese nga gjashtë deputetë të përbërjes së re parlamentare.
“Dosjet për një ish dhe një kandidat aktual të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, Pavel Shatev, janë ndër gjërat e sekuestruara gjatë bastisjes në këtë institucion. Rasti është hapur falë të dhënave që Prokuroria ka marrë nga telefoni i të dyshuari, Naqe Georgiev, gjykatës suprem, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet rasti për veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, thuhet në komunikatën për shtyp të TI-së.
Barometri vë në dukje edhe një zëvendësministër në qeverinë teknike, i cili ka sjell 189 vendime të diskutueshme për sistemim të punonjësve, dhe sipas Transparenc International kjo ngre dyshime se ai ka shkelur dispozitat ligjore. “Revizorët përpilojnë raporte, prokurorët hapin çështje” titullohet rasti tjetër “i turbullt” për muajin korrik.
“Nga 40 rastet që kanë të bëjnë me raportet e revizionit, për të cilat Enti Shtetëror për Revizion ka kërkuar të dhëna nga Prokuroria më pak se dy muaj më parë, rasti I ‘Onkologjisë’ është i vetmi që është në fazën hetimore, disa janë mbyllur sepse nuk ka pasur bazë për ndjekje penale dhe në shumicën e tyre kontrollet janë ende në vazhdim. Në pritje të një epilogu, Prokuroria pretendon se po shqyrton të gjitha raportet”, sqarojnë nga Transparency International-Maqedonia.
Në raste të “pastërta”, Transparent International – Maqedoni përmend kallëzimin penal kundër pesë personave për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe ndaj dy personave për “punë të pakujdesshme në shërbim”, kallëzim penal kundër drejtorit të një konvikti shtetëror studentor në Manastir që dëmtoi buxhetin e MASH-it dhe kallëzim penal ndaj tre policëve që morën ryshfet.
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 33 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.
Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk