Gashi – Rokas: Vazhdimi i reformave dhe përmbushja e detyrave të brendshme për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE

nga Xh M

Shkup, 10 shtator – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot është takuar me ambasadorin e sapoemëruar evropian, Mihailis Rokas. Gashi, siç njoftoi Kabineti i tij, i uroi mirëseardhje euroambasadorit Rokas, duke shprehur besimin në kontributin e përbashkët në procesin e mëtutjeshëm për anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në takimin, kryetari i Kuvendit Gashi dhe ambasadori Rokas shprehën pritjen që institucionet e BE-së, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të mbajtura në qershor të këtij viti, të ruajnë notën pozitive sa i përket zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Bashkëbiseduesit iu referuan edhe nevojës për vazhdimin e reformave dhe përmbushjen e detyrave të brendshme, me qëllim të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, veçanërisht në fushat kryesore”, thuhet në kumtesë.

Gashi theksoi se Kuvendi është i përkushtuar fuqishëm në zbatimin e reformave, veçanërisht në pjesën e harmonizimit me legjislacionin evropian dhe forcimin e rolit mbikëqyrës. Ai shprehu gatishmërinë për të forcuar dhe futur dinamikë të re në bashkëpunimin dhe komunikimin midis Kuvendit të RMV-së dhe Parlamentit Evropian, më pas duke e theksuar rëndësinë e procesit “Zhan Mone”, nga i cili deri më tani kanë dalë dy dokumente të rëndësishme për pushtetin legjislativ në vend – Kodi Etik dhe Rregullorja e re.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për nevojën e forcimit të dialogut politik në vend, duke pasur parasysh qëllimin e përbashkët të integrimit evropian, si përcaktim strategjik të vendit.

Ambasadori Rokas theksoi se qëllimi i tij është t’i ndihmojë vendit të bëjë hapa të dukshëm në këtë fazë të procesit të integrimit në BE, thuhet në njoftim. Ai e theksoi edhe rëndësinë e Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se kjo është mundësia për t’i forcuar kapacitetet për anëtarësim në BE të vendeve të rajonit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More