Shkup, 12 shtator – Propozim ligji për zgjerimin e benefiteve për “branitellat” e vitit 2001, ka habitur opinionin për disa shkaqe. Shkaku i parë është se u propozua nga një ish deputete dhe ministre e LSDM-së, e cila me siguri nuk do të ishte bë as ministre as deputete pa votat e shqiptarëve, e tani dorëzon një propozim që po i ngacmon ndjenjat e shqiptarëve në vend.
Shkaku i dytë që ka habitur opinionin është momenti i dorëzimit dhe aktualizimit të këtij propozim ligji. është koha kur më shumë se LSDM-së, i konvenon BDI-së. LSDM nuk mund t’i përfitojë në anën e saj as “branitellat” as votuesit pro “branitellave”, çfardo lloj ligji që të propozojë.
Propozim në moment të keq për LSDM-në?!
Propozimi është bë në momentin më të keq për LSDM-në. Vitin e ardhshëm janë zgjedhjet lokale, kur në shumë komuna kyçe me shumicë maqedonase votat shqiptare mund të jenë vendimtare kush do të fiton zgjedhjet, ashtu sikurse në komuna kyçe me shumicë shqiptare fituesin mund ta përcaktojnë votueit maqedonas, shkruan Zhurnal. Dalja e Sllavjanka Petrovskës me këtë propozim, krijon antipati tek votuesit shqiptarë për LSDM-në dhe kjo do të ju kushton shuë shtrenjtë socialdemokratve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në vend të rimëkëmbjes në të cilën shpresojnë pas debaklit në zgjedhjet parlamentare, LSDM mund të pëson një debakël edhe më të rëndë, që sipas njohësve të rrethanave politike, do ta fuste këtë parti në dilema ekzistenciale.
Fillimisht dukej si propozim me të cilin Petrovska dëshiron t’i shkaktojë dëm partisë së saj, LSDM-së, për shkak se ishte kandidate për kryetare të LSDM-së, por u tërhoq për shkak të vërejtjeve të shumta që kishte për procesin zgjedhor. Mirëpo rreshtimi i kryetarit të ri të LSDM-së, Venko Filipçe pas propozimit të Petrovskës, tregon se nuk bëhet fjalë për hap individual.
Ngado që të analizohet ky veprim i Petrovskës, ai nuk shkon fare në favor të LSDM-së, por më shumë në favor të BDI-së. Pikërisht për shkak të tolerimit të qeverisjes së papërgjegjshme të BDI-së, votuesit e ndëshkuan LSDM-në, duke e rrënuar nga parti në pushtet, në një opozitë të dobët me vetëm 18 deputetë. Nuk duket shumë me vend arsyetimi i deputetes Petrovska se ligjin e ka propozuar më 1 korrik, kurse kryeparlamentari Gashi e ka nxjerrë tani nga sirtari, sepse dihet që Kuvendi ka afatet ligjore që duhet të respektohen. Në vend se të krijon dyshime për ndonjë prapavijë nga radhët e ppushtetit për nxjerrje të propozimit në këtë moment nga “sirtarët”, Petrovska si propozuese mund ta tërheqë atë nga debati parlamentar.
Kush e bllokoi Ligjin për “branitellat”, Fronti Evropian apo VLEN-i?
VLEN dhe Fronti Evropian ashpër e kanë kundërshtuar propozim ligjin e Petrovskës. Fillimisht kanë akuzuar njëri tjetrin për këtë propozim, e pastaj kanë marë meritat për bllokimin e tij edhe pse bllokimi ende nuk është përfundimtar, shkruan Zhurnal.
Sipas Bashkimit Demokratik për Integrim se i gjithë opinioni publik kombëtar ishte dëshmitar i “dyfytyrësisë së humbësve të zgjedhjeve dhe shërbëtorë të VMRO nga rradhët e Vlen me rastin e votimit të propozim ligjit për branitella në rendin e ditës në seancën e djeshme në Kuvend”.
“Deputetët humbës të Vlen në fillim deklaruan që janë kundër dhe do ta pengojnë miratimin e ligjit për branitella, e braktisën seancën, ndërsa pas telefonatës nga pronarët e tyre nga VMRO, u kthyen me bishtin e paluar dhe mundësuan kuorum për miratimin e rendit të ditës me gjithë Ligjin për branitella.
Ky veprim flet që Vlen janë peng të VMRO dhe po marrin në qafë shqiptarët me çdo veprim të tyre. Flamuri kombëtar, gjuha shqipe, ish ushtarët e UÇK, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, balanseri, u turpëruan para Kosovës dhe Shqipërisë dhe çdo të arritur kombëtare e cënuan oër më pak se 100 ditë.
Maqedonia e veriut duhet të jetë vend i barabartë për të gjithë qytetarët, e jo për disa nënë, e për të tjerët njerkë”, akuzoi BDI, deri sa deputetja e Frotnit Evropian, Ilire Dauti, deklaroi se deri sa të jetë kryetare e Komisionit parlamentar për punë dhe politikë sociale, këto ndryshime ligjore nuk do të kalojnë në Kuvend.
Nga ana tjetër Koalicioni VLEN garantoi se nuk do të kalojë ligji për “Branitellat”.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti prej Uashingtonit, ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka porositur se Ligji për “Branitellat”, i propozuar nga LSDM-ja nuk kalon. Sipas tij, me këtë ligj BDI, LSDM dhe “E Majta”, i kanë bashkuar forcat me qëllim që të realizohen paralajmërimet për destabilizim.
“Deputetët tanë janë kundër plotësimit të ligjit për branitellat pa ligj për privilegjet e pjesëtarëve të UÇK-së. Publikisht pyes: a është ligji për branitellat tentim për të nxitur tensione ndëretnike dhe për të defokusuar vëmendjen e publikut nga pasurimi marramendës kriminal i udhëheqësve të BDI-së?”, deklaroi Izet Mexhiti, Zv. kryeministër i parë.
Ndërkohë Arben Taravari në intervistën në Alsat, deklaroi se në periudhën në vazhdim do të diskutojnë me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE-së për këtë çështje. Megjithatë, kushti i tyre është që krahas “Branitellave”, të ketë zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së.
“Kjo që ndodh sot është vërtetë shqetësuese dhe patjetër të ulemi si partnerë të koalicionit të diskutojmë. Në qoftë se kërkojmë zgjidhje, duhet të gjendet një zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së edhe për branitellat ose ky problem të lihet për më tutje për ta zgjidhur. Por, të jetë reciproke dhe të jetë e dyanshme dhe jo e njëanshme ku njëra prej etnive të cilat jetojnë do të ndiheshin të ofenduar”, tha Arben Taravari, VLEN.
Ligji për “Branitellat” dhe familjarët e tyre i cili ndodhet në procedurë parlamentare është dorëzuar nga Sllavjanka Petrovska e LSDM-së. Me këtë ligj, listës së përfitimeve financiare për ish forcat e sigurisë dhe familjarët e tyre, i shtohet një nen i cili parashikon kompensim të njëhershëm financiar në bazë të shkallës së invaliditetit deri në 82.000 euro për person. Krahas “Branitellave” të vitit 2001, ligji do t’i kompensojë edhe familjarët e të vdekurve apo pjesëtarëve të vrarë të forcave të sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024./Zhurnal