Shkup, 23 shtator – Cilësia në arsim duhet të jetë prioritet në ato vende ku punohet e planifikohet për ndërtimin e së ardhmes. Aty ku nuk synohet progresi nuk është shqetësim e problem serioz mungesa e cilësisë në arsim. Secili shtet mbart pasojat e veta, por mungesa e cilësisë në arsimin e lartë siduket ka metastazuar në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Cilësia në arsim vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha që po e tangon arsimin sot, shifra shqetësuese dalin kur bëhet matja e opinionit publik mbi këtë temë, e aq më trishtë bëhet gjendja kur dalin rezultate të matjeve ndërkombëtare në këtë drejtim. Sipas testimi ndërkombëtar PISA që është më e besueshmja për matje të shkrim-leximit, Maqedonia e Veriut ka pësuar një regres dhe rënie të madhe duke u renditur në mesin e 10 vendeve të fundit. Ndryshe, shkaqet për mungesën e cilësisë në arsim janë të ndryshme, duke filluar nga stafi jo adekuat, tekstet mësimore, kushtet e këqija infrastrukturore në shkolla e të tjera, shkruan Zhurnal.
Universitetet nga rajoni Ballkanit shumë poshtë në Listën e Shangait –
Universiteti i Harvardit, Universiteti Stanford dhe Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) që të tri nga ShBA-ja renditen në vendet e para në listën e universiteteve më të mira në botë sipas renditjes akademike të Universiteteve Botërore për vitin 2024, të publikuar nga organizata “ShanghaiRanking Consultancy”.
Tetë nga dhjetë universitetet më të renditura në listën e Shangait këtë vit janë amerikanë dhe atyre u bashkohen edhe Kembrixhi britanik dhe Oksfordi.
Renditja e re, e 21-ta me radhë, nuk solli ndonjë surprizë të madhe për shtetet e rajonit.
Universiteti i Beogradit është në listë më mirë i renditur midis 401 dhe 500, duke rënë nga viti i kaluar kur u rendit midis 301 dhe 400. Në listë qëndrojnë mirë edhe universiteti i Zagrebit që gjendet mes vendeve 401 dhe 501 dhe Universiteti i Lubjanës (501-600).
Ndërkaq, në listën e sivjetme nuk u gjend asnjë universitet nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Herecegovina ose Mali i Zi.
Sa i përket renditjes së përgjithshme të listës së Shangait, me numrin më të madhh Bashkimi Evropian është përpara Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Në mesin e 500 universiteteve më të mira janë 135 universitete nga vendet e BE-së, 114 amerikanë dhe 91 kinezë.
Renditja akademike e universiteteve botërore, e njohur si Lista e Shangait, përfaqëson institucionet më të mira të arsimit të lartë në botë që nga viti 2003, bazuar në metodologjinë e vendosur dhe të dhëna të palëve të treta, ndërsa po ashtu njihet si renditja më e besueshme globale e universiteteve.
Krahasuar me 5 vite më parë, shumica e qytetarëve besojnë se sot kemi arsim më të keq–
56.3% ndajnë këtë qëndrim kundrejt 25% që nuk shohin ndonjë ndryshim. Vetëm 9.6% e të anketuarve thonë se arsimi i sotëm është në një nivel më të lartë krahasuar me situatën e 5 viteve më parë. Pyetje e njëjtë ka qenë edhe në anketën e realizuar 4 vjet më parë, sipas të cilës 48.9% mendonin se arsimi ishte përkeqësuar në 5 vitet e fundit, kundrejt 28.8% që nuk mendonin kështu.
49% e të anketuarve thonë se cilësia e procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut është më e keqe në krahasim me vendet e rajonit. Një e katërta janë të mendimit se është e ngjashme, ndërsa vetëm 5,7% mendojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim më të mirë se vendet e rajonit. Dhe këtu krahasimi me anketën e IPIS 2019 tregon se perceptimet janë përkeqësuar. Në atë kohë, 40,1% mendonin se kishte arsim më të mirë në rajon, afër 30% nuk kanë vërejt dallime dhe 10,4% mendonin se në Maqedoninë e Veriut ka një proces më të mirë arsimor në krahasim me vendet e rajonit.
Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve. /Zhurnal.mk