Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, përmes një deklarate për shtyp nga selia e Kuvendit, renditi arsyet se pse PD është kundër projektligjit “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
Zhupa paraqiti kundërshtimet për këtë ligj, ndërsa evidentoi edhe dëmet që ai sjell nëse miratohet siç e ka sjellë qeveria.
Sipas saj, ligji sjell centralizim dhe politizimin e shkencës. Zhupa tërhoqi vëmendjen për drejtimin e Këshillit Shkencor nga Kryeministria, ndërsa u shpreh se “po zhduket çdo autonomi universitare dhe po zhvishen nga kompetencat profesorët, departamentet, shkollat doktorale dhe po e monopolizojnë te qeveria”.
“Koncepti i këtij ligji nëpërmjet centralizimit dhe vlerësimeve politike duket sikur synon të mbështetë vetëm një grup të kufizuar të komunitetit akademik për kërkim shkencor dhe nuk niset nga parimi themelor që duhet ketë: Dija në universitete duhet të mbështetet në krijimtarinë shkencore të çdo pedagogu. Me këtë projektligj nuk ka financim po nuk i pëlqeu qeverisë, nuk ka kërkim shkencor që kundërshton politika të caktuara ekonomike, sociale, bujqësore, teknologjike etj”, u shpreh ajo.
Po ashtu, Zhupa tha se me këtë projektligj shkelet Kushtetuta dhe dy ligjet në fuqi, konkretisht ligji i arsimit të lartë dhe ligji i Akademisë së Shkencave.
“Ky ligj anashkalon sistemin e arsimit të lartë (AL), sidomos institucionet me status ”Universitet”, apo ulte peshën e tyre në sistemin e shkencës dhe është i gabuar dhe me pasoja për vendin”, shtoi Zhupa.
Po ashtu Zhupa theksoi se ligji injoron komunitetin shkencor ne diasporë.
“Ne mendojmë se ky ligj duhet të krijojë hapësirë sa më të madhe për të tërhequr kontributin e diasporës shkencore shqiptare në të gjitha format e Brain Gain, Brain Circulation, etj., kontribut i cili do të ishte shumë i rëndësishëm për zhvillimim afatgjatë të vendit tonë”, shtoi ajo.