BDI po mundohet t’i harmonizon notat muzikore me qeverinë, por “këngët” e tyre nuk po i pëlqejnë VMRO-DPMNE-së!?

nga I Z

Shkup, 15 tetor – BDI është paraqitur me një propozim lidhur me ndryshimet kushtetuese, që deri diku ka habitur opinionin, sepse paraqet propozim për ndryshim me efekt të vonuar, një ide që kjo parti nuk e parapëlqente shumë deri tani.

Por, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani propozoi që ndryshimet kushtetuese të realizohen përmes vendosjes së klauzolës në ligjin për zbatimin e Kushtetutës, respektivisht që nëse Bullgaria në 5 vitet e ardhshme vazhdon ta pengojë RMV-në me çështje tjera në rrugën drejt BE-së, atëherë Parlamenti të ketë të drejtën që t’i suspendojë ndryshimet kushtetuese.

“Ne duhet t’i realizojmë ndryshimet kushtetuese. Ja unë po shkoj një hap para, nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese sot, ne mundemi lirisht në Ligjin për zbatimin e Kushtetutës, ta vendosim një klauzolë, ku thuhet nëse brenda 5 vjetëve vazhdon Bullgaria ta pengojë Maqedoninë e Veriut për çështje që s’kanë të bëjnë me BE-në, Parlamenti ka drejtë t’i suspendojë ndryshimet kushtetuese, por të hyjnë në fuqi tani”, tha Osmani në “Daily Click”.

Sado që efekti i vonuar është në drejtim të kundërt me atë që ka propozuar VMRO-DPMNE dhe kryeministri Mickoski, sepse BDI shfuqizimin eventual e parasheh me efekt të vonuar, e jo hyrjen e ndryshimeve kushtetuese në fuqi, megjithatë ideja paraqet ndryshim në qëndrimet e mëhershme të kësaj partie dhe një hap drejt afrimit me propozimin e VMRO-DPMNE-së. Ky ndryshim në qëndrim, vjen pak kohë pasi ndryshim bëri dhe opozita maqedonase, shkruan Zhurnal.

Propozimit të ish-ministrit Bujar Osmani i është përgjigjur qeveria. Në përgjigjen e ashpër të zëdhënëses Marija Miteva, vërehet qartë doza e mosbesimit, por edhe porosia mes rreshtave që tregon hatërmbetje pse Osmani me ide të tilla nuk ka dalë sa ishte në pushtet, por tani që është në opozitë.

“Dëgjuam deklaratën e ish-shefit të diplomacisë, i cili ka qenë në atë detyrë prej vitesh, dhe ai ka më pak besueshmëri për të folur për këtë temë. Dyshojmë në sinqeritetin e synimeve të tyre kur japin propozime dhe zgjidhje për situatën në të cilën ndodhemi lidhur me këtë çështje”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e qeverisë.

Ndryshe, Osmani, në cilësinë e nënkryetarit të BDI-së ka folur edhe për çështjen e Balancuesit, një temë mjaft aktuale pas shfuqizimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, BDI është duke e informuar komunitetin ndërkombëtarë në detaje, me pasojat, me atë që ndodhë.

Osmani shtoi se iniciativa për gjuhën shqipe dhe balancuesin me vite kanë qëndruar në sirtaret e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo kur ka ujdi politike këto gjëra tejkalohen.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj nuk i njeh më bashkësitë etnike, nuk i njeh më njerëzit më në bazë të identitetit kombëtar, ua mohon për të pasur të drejtat kolektive, pra do të ketë vetëm të drejta individuale.

Por VMRO-DPMNE akuzon BDI-në se kur është në qeveri flet ndryshe, ndërsa kur është opozitë thonë tjetër gjë.

“Kujtojmë BDI-në, kur ishin në pushtet, miratuan Strategjinë për reforma në administratë për vitet 2023-2030. Në të shprehen se balancuesi si mjet keqpërdoret dhe duhet shfuqizuar. Dhe Brukseli e tha qartë se balancuesi duhet të hiqet. Derisa BDI ishte në pushtet, ishte e stërngarkuar me rregullime tenderash, biznese në privat, dhe gjenin kohë në institucionet shtetërore për të luajtur futboll. BDI-së sa ishte në pushtet nuk i interesonte fakti që qindra mijëra të rinj u larguan, se qytetarët jetuan keq”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Reagimet e ashpra nxjerrin në pah se edhe nëse BDI ka filluar t’i “këndon” këngë VMRO-DPMNE-së, me qëllim të një afrimi të mundshëm, “muzika” e tyre, së paku tani për tani, nuk po i pëlqen kryeministrit Mickoski, shkruan Zhurnal.

“Tani kanë ndërruar këngën sepse janë opozitë, kanë kohë të lirë dhe shohin vetëm si të sulmojnë”, thonë nga VMRO-DPMNE, madje edhe duke përsëritur akuzat e BDI sheh vetëm se si të shkaktojë pakënaqësi, të destabilizojë, gjegjësisht si ta largojnë vëmendjen nga tema kryesore, që është që zyrtarët e tyre të japin përgjegjësi, që paraqet akuzë direkte se më shumë se interesat e shqiptarëve, BDI është duke luftuar për të mbrojtur interesat e ish funksionarëve./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More