Shkup, 21 tetor – “Si prokuror publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i refuzoj pretendimet e pabazuara për ndërhyrje në një rast në të cilin Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit vepron për më shumë se një muaj, për të cilat pretendime nuk janë paraqitur prova deri në këtë moment”. Kështu thotë në një reagim prokurori publik, Ljupço Kocesvski, i cili ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se Kocevski ka bërë presion për një lëndë.
Duke u pajtuar se publiku ka të drejtë të dijë të vërtetën e plotë, ai thekson se “kontrolli në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup mbulon punën e të gjithë prokurorëve publikë në atë prokurori, ndërsa prokurorët që e kanë kryer punën e tyre me ndershmëri dhe përgjegjësi nuk kanë as reagime e as frikë, sepse e dinë që kontrolli bëhet në përputhje me ligjin”.
Nga pozita e Prokurorit Publik të Shtetit, Kocevski tha se ka obligim që për herë të parë pas më shumë se katër vitesh ta mbikëqyrë punën e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup, sepse ka marrë informata dhe aktgjykime nga Gjykata Supreme, të cilat tregojnë për punë të mundshme joprofesionale të disa prokurorëve publikë, si dhe raporte për kërcënime, presione dhe sjellje të pahijshme ndaj punonjësve të prokurorisë. Ai thotë se këto raporte janë dorëzuar edhe në Këshillin e Prokurorëve Publikë.