Në relacionin për projektbuxhetin 2025 përfshihet edhe impakti që do të ketë Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në ekonominë shqiptare.
Komisioni Evropian miratoi më 8 nëntor të vitit 2023, Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor me synim për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të reduktuar pabarazinë e zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, krahasuar me vendet anëtare të BE-së.
Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor përmban prioritetet të organizuara sipas katër shtyllave.
Shtylla 1 përmban rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian. Shtylla 2 përmban integrimi në Tregun e Përbashkët Rajonal. Shtylla 3 përmban përshpejtimin e reformave themelore. Ndërsa shtylla 4 përfshin instrumentin financiar Lehtësuesi për Reformën dhe Rritjen.
Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të mirë dhe është një mundësi premtuese për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ky plan synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, të nxisë investimet, të krijojë vende pune dhe të përmirësojë standardet e jetesës.
Instrumenti “Faciliteti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” mbështet shtyllën e tretë dhe të katërt të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.
Kjo iniciativë e re zhvillimore do të ofrojë mbështetje financiare deri në 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Synimi është përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor krahasimisht me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndikuar sidomos nga pasojat që erdhën nga kriza ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, si dhe kriza energjitike globale, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, përmes nxitjes, me objektiv dyfishimin, e rritjes ekonomike.
Ky instrument është miratuar më 14 maj 2024, përmes Rregullores 2024/1449 të Bashkimit Evropian “Për miratimin e Facilitetit të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.
Dokumenti i politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” (AKR 2024-2027) konsiderohet si një instrument i rëndësishëm që do të nxisë përgatitjet ekonomike të orientuara nga tregu për përshpejtimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian, drejt progresit në konvergjencë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vjen si kërkesë e kreut III të Rregullores 2024/1449 të Bashkimit Evropian.
Prioritetet e reformave të përcaktuara në AKR 2024-2027 janë në përputhje me drejtimet prioritare që përcakton Plani i Ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me qëllim përshpejtimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në Tregun Unik të Bashkimit Evropian, përshpejtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si dhe thellimin e integrimit ekonomik rajonal, me objektiv kryesor mbështetjen për dyfishimin e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
AKR 2024-2027 është një dokument politike reformash thelbësore të nxitjes së rritjes dhe transformimit ekonomik dhe konsolidimit të vlerave të shtetit të së drejtës. Dokumenti i politikës AKR 2024-2027 ofron një përmbledhje masash të përzgjedhura nga dialogu institucional Shqipëri – Bashkim Evropian, dhe hapash për krijimin e mjedisit të favorshëm për konsolidimin e transformimin ekonomik të vendit, i cili është i domosdoshëm për të rritur ritmin e rritjes dhe konvergjencës socio-ekonomike me vendet anëtare në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
AKR 2024-2027 përfshin masa që lidhen me prioritete në fushat/shtyllat e politikave si klima e biznesit, kapitali njerëzor, energjia/tranzicioni i gjelbër, tranzicioni digjital dhe shteti i së drejtës/ Themeloret”.
Sa i përket financimit të pritshëm nga zbatimi i masave për Agjendën e Reformave, ku janë të përfshira kredi dhe grante totali arrin në 922,085,888 euro.
Në vitin 2024, parashikohet një impakt prej 76,715,139 eurosh. Ndërsa në vitin 2025, impakti rritet ndjeshëm në 279,784,625 euro, duke reflektuar intensifikimin e zbatimit të reformave.
Viti 2026 sjell një rritje të mëtejshme, me 314,381,648 euro, që tregon se masat e marra po japin fryte dhe po kontribuojnë në rritjen e PBA-së.
Në vitin 2027, ndonëse shifra bie në 251,204,475 euro, kjo është ende një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin ekonomik.
Ky informacion tregon një tendencë pozitive të financimit nëpërmjet Agjendës së Reformave, duke theksuar rëndësinë e këtyre masave në zhvillimin ekonomik të vendit.
| Viti 2024 | Viti 2025 | Viti 2026 | Viti 2027 | TOTAL (Euro) | |
| Impakti total (i pritshëm) në PBA nga Agjenda e Reformave (Kredi +grant) (EURO) | 76,715,139 | 279,784,625 | 314,381,648 | 251,204,475 | 92 |