Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani deklaroi sot se, AMP synon në vitin 2025 rritjen e hetimeve proaktive në luftën kundër korrupsionit.
Në seancën dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në lidhje me projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2025” në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, Sulejmani u shpreh se, AMP ka një personel prej 170 punonjës, teksa subjektet ndaj të cilave ushtron veprimtarinë mbikëqyrëse janë Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Shërbimi Zjarrfikës.
A theksoi se, “përgjatë viteve 2025-2027, AMP ka një sërë objektivash ku ndër to është rritja e hetimeve proaktive në luftën kundër korrupsionit dhe veprave të tjera penale ndaj subjekteve që mbikëqyr, kryerjen e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik, rritjen e besimit të qytetarëve ndaj AMP dhe vetë Policisë së Shtetit, përmirësimi i shërbimeve për denoncimet e qytetarëve ndaj shkeljeve apo abuzimeve të mundshme nga strukturat mbikëqyrëse”.
Sulejmani u shpreh se, “në krahasim me vitin 2024, pr/buxheti i vitit 2025 në total për të gjithë zërat ka një rritje në masën 7%. Kjo rritje vjen kryesisht për shkak të rritjes së pagave të personelit për vitin 2025 si dhe për mallra dhe shërbime”.
Ai theksoi se, “fondet e parashikuara për AMP në vitin 2025 janë në total 348 milionë lekësh, të ndara respektivisht sipas zërave, shpenzime për personelin, paga dhe sigurime shoqërore në masën 273 milionë, ku kemi një rritje prej 4% krahasuar me vitin e kaluar, shpenzime të tjera për mallra dhe shërbime në vlerën 52 milionë, rritur 10% në krahasim me buxhetin e vitit 2024 dhe shpenzime për investime në vlerën 23 milionë”.
Gjatë vitit 2024, shtoi ai, “AMP është financuar me projekte dhe investime në përmirësimin e kushteve për punë duke investuar në godinën e re dhe shtesën e katit në një vlerë prej 75 milionë lekësh të reja. Rritjen e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve teknologjike të informacionit, duke përmirësuar punën për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar nëpërmjet investimit në arkivën dixhitale në masën 8 milionë lekë. Gjithashtu kemi financuar dhe blerë programe për analizim të dhënash dhe blerje pajisjesh zyre përgjimi në vlerën 2.6 milionë lekë. Rinovimin dhe modernizmin e aparaturave dhe pajisjeve speciale për rritjen e kapaciteteve tekniko-shkencore për sigurimin e provës, nëpërmjet përdorimit të përgjimit ambiental dhe vëzhgimit sekret në vlerën rreth 50 milionë lekë”.
Ai theksoi se të gjitha investimet e parashikuara për vitin 2025 janë realizuar në masën 100%.
Për vitin 2026, theksoi ai, AMP ka të parashikuar një vlerë prej 45 milionë lekësh për blerjen e mjeteve për nevojat e saj gjë që do të rrisë performancën e personelit të kësaj agjencie.
Sulejmani gjithashtu nënvizoi se, me anë të VKM-ve, “personeli i AMP ka fituar të drejta në lidhje me kompensimin e largësisë apo kompensimin e qirasë së banesës kur transferohen për nevoja pune. Gjithashtu, kompensimin e pagesës së bashkëshortes kur mbetet pa punë për shkak të transferimit për nevoja pune”.
Ai shtoi se, “një nga të drejtat që përfitojnë punonjësit e AMP-së është dhe shpërblimi për rezultate të larta në luftën kundër korrupsionit apo shkelje të tjera të ligjit për subjektet që mbikëqyr agjencia”.
Ndërsa deputeti i opozitës, Ferdinand Xhaferraj e pyeti kreun e AMP-së nëse ka nisur AMP hetim për rastin e futjes së forcave speciale në Kuvend.
“Ishte një akt i paprecedent, antikushtetues i pandodhur më parë në historinë e më shumë se 30 viteve të parlamentarizmit. Nëse ka nisur a ka ndonjë produkt lidhur me këtë akt të paprecedentë?”, u shpreh Xhaferraj.
Sulejmani u shpreh se, “ne po mbledhim të dhëna dhe po hetojmë administrativisht lidhur me përgjegjësitë policore”.
Gjithashtu Xhaferraj e pyeti kreun e AMP edhe lidhur me nxjerrjen e personave përgjegjës, të zyrtarëve të policisë që kanë përdorur aplikacionet Sky dhe Encrochat.
“Është zbërthyer nga organet ligjzbatuese të vendeve të BE-së. Ka dalë një urdhër ministri për t’i verifikuar. Zyrtarisht është thënë nga Policia e Shtetit që nuk kemi pasur raste të tilla. Më vonë doli një rast i një zyrtari policie në Lezhë që është përdorur”, tha Xhaferraj.
Sulejmani tha se, “ne kemi miratuar një urdhër ministri lidhur me vetë përgjegjësinë e deklarimit të përdorimit të aplikacionit qoftë Enchro, qoftë Sky. Jemi në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për dokumentimin e përdorimit dhe evidentimin e aplikantëve që kanë përdorur këto aplikacione. Deri në këto momente e kanë plotësuar këtë formular të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së republikës dhe vetë AMP-së”.