Tema e zgjedhjeve mori fund, përfundimisht nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme!

nga I.A

Shkup, 15 nëntor – Kryeministri vendit, Hristijan Mickoski, vetë e nisi vetë e përfundoj temën e zgjedhjeve. Ai së fundmi kategorikisht refuzon zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale në tetor të vitit të ardhshëm. Si test për qeverinë dhe opozitën, thotë se janë zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm dhe nëse fitojnë kandidatët e BDI-së apo LSDM-së, atëherë mund të organizohen zgjedhje menjëherë pas atyre lokale. Nëse opozita humbet, atëherë u bën thirrje që të reformohen me kuadro dhe programe të reja. Ky qëndrim i fundit i kryeministrit mbi temën në fjalë nuk u shkon aspak përshtati liderëve të opozitës të cilët u aktivizuan përnjëherë porsa dëgjuan fjalën zgjedhje, shkruan Zhurnal.

Mickoski: S’ka nevojë për zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, vazhdon të refuzojë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale në tetor të vitit të ardhshëm. Kjo krejt pas një debati në Kuvend që kishte me eksponentë të partisë opozitare, LSDM, me çka atyre u tha mund të dalim që nesër në zgjedhje. E kjo deklaratë ishte shpresë për partitë opozitare, sidomos për BDI-në, që assesi nuk po mund të akomodohet në opozitë

Si test për qeverinë dhe opozitën, thotë se janë zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm dhe nëse fitojnë kandidatët e BDI-së apo LSDM-së, atëherë mund të organizohen zgjedhje menjëherë pas atyre lokale. Nëse opozita humbet, atëherë u bën thirrje që të reformohen me kuadro dhe programe të reja.

“Kemi zgjedhje lokale vitin e ardhshëm. Në ato zgjedhje qytetarët do të tregojnë nëse nevojiten edhe zgjedhje parlamentare apo jo. Nëse ka nevojë për parlamentare, mundemi menjëherë më pas të organizojmë edhe zgjedhje parlamentare. Nëse ata japin karton të kuq për qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, nëse i votojnë kryetarët e komunave të LSDM-së dhe BDI-së atëherë mesazhi është i qartë, ne nuk do ta injorojmë atë mesazh” përfundoi Hristijan Mickoski.

Si u hap tema e zgjedhjeve të parakohshme?

Çështja e zgjedhjeve të parakohshme u bë temë e diskutimit pas pyetjeve të ngritura nga deputetët e opozitës në Kuvend të enjten e kaluar. Ata i bënë thirrje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski të tërhiqet, duke theksuar se ai “i ka shkelur të gjitha premtimet”.

Kurse, Mickoski, nga Kuvendi tha: “Nëse dëshironi të shkojmë në zgjedhje, të vërtetohet që së bashku me zgjedhjet lokale të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse dëshironi, menjëherë tani ta dakordojmë punën. Por, do të ngulfateni në thellësinë, ku ju dërgojnë”.

Partitë opozitare, si BDI ngjashëm edhe LSDM jo se ishin të përgatitura për zgjedhje të parakohshme por mezi prisnin të gjenin një arsye shtesë për t’i ngushëlluar aktivistët e tyre se ka gjasa që të rikthehen sërish në pushtet. Por, edhe kjo sajesë iu dështoi pas vendimit kategorik të kryeministrit se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Nga koalicioni shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë, thanë se Maqedonia e Veriut kurrë nuk ka pasur qeveri më stabile.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se deklarata e Mickoskit është nxjerrë jashtë kontekstit.

“Është nxjerrë nga konteksti. Kur të kesh shumicë prej 80 deputetëve nuk ka nevojë për të menduar për zgjedhje të parakohshme, sepse ky është vetëm shpenzim për shtetin dhe humbje kohe”, u shpreh Mexhiti.

E kjo është e natyrshme dhe e kuptueshme, që përderisa qeveritë e kaluara ishin në këmbë të qelqta me 61 deputetë nuk diskutoheshin zgjedhjet e parakohshme, e tani me një qeveri stabile sikur kjo sot as që duhet të flitet mbi këtë temë.

Kujtojmë që, shumica parlamentare numëron 78 deputetë nga 120 gjithsej sa ka Kuvendi. Qeveria aktuale përbëhet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe partia ZNAM e Maksim Dimitrievskit. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More