Në kuadër të 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, përfaqësues të opozitës kanë vendosur kurora me lule pranë varrit monumental të Ismail Qemalit në Sheshin e Flamurit të Vlorë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i shoqëruar nga deputetë të tjerë të opozitës vendosën kurora me lule pranë varrit monumental të Ismail Qemalit, dhe uruan Ditën e Pavarësisë për të gjithë shqiptarët.
“Dua ta shfrytëzoj në emër të PD për të uruar gëzuar këtë ditë të bekuar. Është vërtet një ditë e bekuar, një ditë e shenjtë që nisi në 28 nëntorin e vitit 1443 kur Skënderbeu e vendosi këtë flamur të bekuar në Kalanë e Krujës dhe e çliroi nga turqit.
28 nëntori i dytë është i vitit 1912 kur plaku i Vlorës, Ismail Qemali e ngriti këtë flamur këtu në Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.
28 nëntori i tretë është i vitit 1944, kur ky flamur u ringrit përsëri për të simbolizuar largimin e pushtuesve gjermanë. Kjo është një ditë e madhe ndaj e shfrytëzoj në emër të PD edhe njëherë gëzuar, të na gjejë më të bashkuar, me një Shqipëri ndryshe, të na gjejë në festë, pa krim, pa korrupsion, pa drogë, pa drejtësi të kapur dhe me liri dhe demokraci të vërtetë”, u shpreh Noka.
Edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë, të ndarë nga Partia Demokratike vendosën kurora me lule. Tedi Blushi sekretar i përgjithshëm i Partisë së Lirisë tha se vitin e ardhshëm do festojmë Nëntorin e tretë të Shqipërisë
“Vitin e ardhshëm do festojmë Nëntorin e tretë të Shqipërisë së Lirë, Sovrane dhe plotësisht demokratike”, u shpreh Blushi.
Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.