Banka Botërore ditë më parë ka publikuar një raport lidhur me klimën dhe zhvillimin e vendit.
Në përmbledhjen e këtij raporti lidhur me zhvillimin e vendit thuhet se Republika e Kosovës, ekonomia e parafundit për nga madhësia në Ballkanin Perëndimor, ka arritur përmirësime të konsiderueshme në standardet e jetesës gjatë dekadës së fundit, por këto përfitime janë shoqëruar me disa ndikime të padëshiruara mjedisore dhe shëndetësore.
“Duke pasur BPV-në më të ulët për kokë në mesin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor (BP6) në vitet e fundit, Kosova është përballur me sfida të shumta në zhvillimin e saj. Tensionet politike dhe njohja e pjesshme nga komuniteti ndërkombëtar si shtet i pavarur sovran, janë bërë pengesë për investimet e huaja direkte dhe rritjen ekonomike.
Së bashku me infrastrukturën e vjetruar të transportit, ngrohjes dhe banesave, këta faktorë po kontribuojnë më tej në degradimin e mjedisit dhe në rezultate negative shëndetësore, duke rritur cenueshmërinë ekonomike të qytetarëve të Kosovës nga goditjet e çmimeve të energjisë dhe varfëria energjetike”, thuhet në këtë raport.
Më tej, thuhet se heqja e qymyrit nga përdorimi do të kërkojë masa gjithëpërfshirëse për të adresuar ndikimet sociale dhe ekonomike, veçanërisht në rajonet e varura nga qymyri, për të siguruar një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës në aspektin social.
“Kapitali njerëzor i vendit gjithashtu duhet të zhvillohet në mënyrë substanciale për të siguruar që Kosova të jetë gati për tranzicionin e gjelbër; vlerësohet se më shumë se 40 për qind e potencialit të kapitalit njerëzor të vendit është aktualisht i pashfrytëzuar.
Ndryshe, nga shumica e vendeve të tjera të BP6, popullata e Kosovës në moshë pune (mosha 15-64) po rritet. Planifikimi afatgjatë për përmirësimin e rezultateve të arsimimit dhe aftësimit do të jetë me rëndësi jetike për t’i ofruar popullatës relativisht të re të vendit shanset më të mira për t’u bërë shumë produktive”, thuhet tutje.
Po ashtu, vlerësohet se përshpejtimi i tranzicionit energjetik për arritjen e emetimeve neto zero në mbarë ekonominë në Kosovë deri në vitin 2050 është i realizueshëm, por do të kërkojë transformim rrënjësor dhe veprim me vendosmëri në nivel kombëtar dhe rajonal.
Për të arritur dekarbonizimin neto, termocentralet me thëngjill do të duhet të hiqen nga funksionimi dhe të nxirren plotësisht nga përdorimi deri në vitin 2045, duke i zëvendësuar me rritje të konsiderueshme të kapacitetit të energjisë nga era dhe solare”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Energjia solare, e cila prodhohet me ndërprerje, do të duhet të plotësohet me rritjen e kapacitetit të baterive të akumulimit për t’i përmbushur nevojat e balancimit.
“Caku i emetimeve zero neto deri në vitin 2050 mund të arrihet me ndikim minimal në rritjen potenciale aktuale të ekonomisë. Përgjithësisht, krahasuar me skenarin referencë (SR), për të arritur emetime zero neto në mbarë ekonominë Kosova do të duhet t’i shtojë investimet në sistemin energjetik për 760 milionë dollarë amerikanë deri në vitin 2030 dhe 4.7 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2050 (të shprehur në vlera aktuale dhe në dollarë me vlerë të vitit 2020), çka është e barasvlershme me rreth 2.9 për qind të BPV-së në vit mesatarisht deri në vitin 2050.
Në nivel të sektorit privat, bankat komerciale dhe kompanitë kanë shumë për të kontribuar në mbështetjen e veprimeve zbutëse dhe përshtatëse në Kosovë.
“Është e rëndësishme që teksa vendet lëvizin drejt zgjidhjeve më të qëndrueshme të energjisë, të zbatohen politika dhe iniciativa që i mbështesin punëtorët dhe rajonet që varen në masë të madhe nga minierat e qymyrit dhe industritë e lidhura me to.
Për më tepër, tranzicioni në emetime neto zero do të ketë ndikim shpërndarës në konsumin e amvisërive për shkak të variacioneve në kostot e prodhimit dhe furnizimit, duke çuar potencialisht në ndryshime në çmimet e energjisë dhe produkteve jo-energjetike. Qeveria duhet të fokusohet në mbështetjen e targetuar për amvisëritë, duke përfshirë riciklimin e të ardhurave, për të zbutur efektet e mundshme tek ata që nuk i kanë punë edhe aq mirë. Andaj, kërkohet shqyrtim i kujdesshëm për të siguruar një Tranzicion të Drejtë për të gjithë dhe për të parandaluar përkeqësimin e varfërisë energjetike”, thuhet ndër të tjera në raport.