Shkup, 13 dhjetor – Kryeministri Hristijan Mickoski pret që me uljen e paralajmëruar të produkteve të aksionit “Shporta e Vitit të Ri” të mbrohet buxheti familjar dhe të ketë një tryezë festive më të pasur.
Mickoski sot në pyetjen e gazetarëve, tha se numri i produkteve të përfshira në masën është rritur nga 600 në 800 dhe theksoi se Inspektorati Shtetëror i Tregut do ta vëzhgojë punën e marketeve.
“Për kënaqësinë time të madhe, kompanitë, tregtarët, prodhuesit, distributorët po shtojnë numrin e produkteve dhe është më shumë se 800, jo 600. Të gjitha do të shënohen, ndërsa për këtë do të kujdeset Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) i cili do të vëzhgojë në vazhdimësi punën e marketeve dhe pres që buxheti familjar të mbrohet duke ulur çmimet e këtyre produkteve. Fillon nga 15 dhjetori, për dy ditë. Pres efekte pozitive dhe pres që për festat e fundvitit shporta e konsumit të jetë sa më e pasur”, tha Mickoski pas vendosjes së gurthemelit të fabrikës së re në ZZHTI Kërçovë.
Listën e shportës së konsumit të Vitit të Ri përfshinë bukë dhe drithëra, produkte buke, mish dhe produkte mishi, peshk, qumësht dhe produkte qumështi, ëmbëlsira, fruta dhe perime të freskëta, të ngrira dhe të konservuara, pije joalkoolike (të gazuara dhe jo të gazuara), pije alkoolike (verë dhe birrë) dhe të tjera.
Në ditët e kaluara, inspektorët e tregut kanë monitoruar çmimet aktuale të produkteve të përfshira në listën e veprimit së bashku me çmimet më të ulëta të të njëjtave produkte që janë aplikuar në 30 ditët e fundit. Qëllimi i monitorimit është të përcaktojë nëse pas fillimit të fushatës, tregtarët do t’i përmbahen iniciativës së dhënë nga ana e tyre për uljen e çmimeve promocionale prej 10 për qind ose për produktet ushqimore që shiten më shumë gjatë festave të Vitit të Ri.
Produktet në listë që do të ofrohen në raftet e rrjeteve të shitjes me pakicë do të shënohen me etiketën “Më pak kosto, më shumë për ty”, në kuadër të fushatës së Qeverisë.
Aksioni “Shporta e Vitit të Ri” do të realizohet nga 15 janari 2025. Qytetarët mund t’i raportojnë parregullsitë në numrin e telefonit falas 191 ose në ueb faqen e ISHT-së www.dpi.gov.mk, ku gjendet edhe lista e produkteve.