Bardhi: Komision i përbashkët parlamentar Shqipëri-Kosovë për monitorimin e marrëveshjeve dypalëshe

nga D V

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, iu drejtua me një fjalim Parlamentit të Kosovës ne mbledhjen e përbashkët mes dy vendeve.

Bardhi shprehu mbështetjen e palëkundur të Partisë Demokratike, për proceset integruese dhe demokratizuese të Kosovës.

Ai tha se kjo do duhet të jetë mbledhja e fundit formale mes dy kuvendeve, duke propozuar ngritjen e një komisioni të përbashkët parlamentar me qëllim monitorimin e marrëveshjeve të përbashkëta dhe një axhendë të qartë pune.

Ne fjalën e tij Gazment Bardhi, përmendi edhe rezolutën që Partia Demokratike, ka propozuar për dënimin e genocidit serb në Kosovë dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtarë, përfshirë NATO dhe OKB.

Për këtë qëllim, Bardhi propozoi koordinimin dhe unifikimin e qëndrimit të delegacioneve parlamentare në të gjitha organizatat ndërkombëtare, si dëshmi e asaj çka realisht janë Shqipëria dhe Kosova, një komb, një qëndrim.

Bardhi u shpreh se kohët e fundit politikat e ndjekura në Shqipëri nuk kanë pasqyruar gjithmonë frymën e vëllazërisë që bashkon qytetarët tanë. Sipas tij, rruga e Kosovës drejt vetëvendosjes është shënuar nga guximi, por është përballur me presione të padrejta dhe sanksione që synojnë të heshtin zërin e saj të drejtë në dialogun me Serbinë.

“Dua të jem i qartë, në emër të Partisë Demokratike dhe grupit tonë parlamentar, deklaroj se qëndrojmë fuqimisht kundër masave dhe sanksioneve ndaj Kosovës. Është e papranueshme të ndëshkohet Kosova për qëndrimet e saj parimore. Ato penalizojnë Kosovën për kërkesat e saj legjitime për të qenë një shtet i barabartë dhe i pavarur në tryezën e bisedimeve. Veprime të tilla rrezikojnë dialogun në një akt presioni dhe asnjë paqe e qëndrueshme në botë, nuk mund të ndërtohet mbi themele të pabarazisë dhe shtrëngimit. Ajo duhet të ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë dhe barazinë në tryezën e negociatave”, tha Bardhi.

Bardhi tha më tej se kritikat publike, që i bëhen Kosovës nga Shqipëria, e dëmtojnë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

“Mund të flisja gjatë për atë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit, por ky nuk është as vendi dhe as rasti. Ne kemi një traditë që vëllait nuk ia them as kritikën e as këshillën në publik, por ia themi kur jemi vetëm, e me zë të ulët, që mos të dëgjohet jashtë. Sepse kur kritika ose këshilla i thuhet vëllait publikisht, kjo e lëndon atë, ia dobëson pozitën në arenën ndërkombëtare dhe është thikë pas shpine për vëllait tonë, Kosovën”, u shpreh Bardhi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More