Sadushi: Reduktim me 50% i çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë

nga D V

Në takimin e fundvitit me gazetarët kreu i Gjykatës së Lartë në fjalën e tij tha se ku vit ka qenë i ngarkuar me sfida, por edhe me arritje të suksesshme.

Sadushi tha se “tri kanë qenë dhe mbeten objektiva të qarta për Gjykatën e Lartë.

Së pari, ai renditi uljen e stokut të çështjeve, për të cilën Gjykata e Lartë mban rekordin, sepse ka reduktuar në 50% numrin e çështjeve të prapambetura, që prisnin shqyrtimin 4 vjet më parë.

Së dyti, sipas Sadushit objektiv ishte orientimi i praktikës gjyqësore në zbatimin e njëjtë të ligjit, ku fokusi kryesor i gjyqtarëve është siguria dhe qëndrueshmëria nëpërmjet vendimmarrjes së përditshme dhe asaj me karakter njësues e zhvillues dhe së treti, rritja e legjitimitetit institucional me orientim pavarësinë, paanshmërinë, efektivitetin, llogaridhënien dhe transparencën.

Sipas Sadushit këto objektiva kanë si qëllim fundor dhënien e drejtësisë së paanshme, profesionale, në kohë sa më të shpejtë, si elementë përbërës të aksesit në drejtësi.

“Puna voluminoze prej 32.393 vendime të dhëna në katër vjet evidenton dukshëm tejkalimin e backlogut, i cili aktualisht është ulur në 18,665 çështje. Kjo ulje e ndjeshme e numrit të çështjeve të prapambetura kërkon një volum pune të konsiderueshëm, por edhe një strategji koherente e frytdhënëse, që falë bashkëpunimit me projektin që mbështetet nga Departamenti i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së SHBA, ka rezultuar i suksesshëm”, tha Sadushi.

Sadushi tha më tej se për vitin 2024 janë dhënë 7639 vendime gjyqësore, nga të cilët 2875 vendime i përkasin Kolegjit Civil, 2591 vendime të Kolegjit Administrativ dhe 2173 vendime të Kolegjit Penal.

“Për këtë vit janë regjistruar 2448 çështje të reja dhe në këtë shifër duhej të ishte sipas standardit ndërkombëtar edhe numri i vendimeve gjyqësore, ndërkohë që janë dhënë 7639 vendime, ose 3 herë më shumë se norma e rendimentit për gjyqtar. Gjykata e Lartë ka mbi 3 vjet që tejkalon standardin ndërkombëtar, duke arritur për 2024 një normë të likujdimit të çështjeve prej 312% dhe me një ngarkesë për çdo gjyqtar me një shifër rekord, afro 449 vendime në vit. Të dhëna të tilla dëshmojnë për angazhimin dhe përgjegjshmërinë e lartë të gjyqtarëve, këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ për tu përballur, por edhe për të dalë nga kjo gjendje”, tha Sadushi.

Sidoqoftë, theksoi kreu i Gjykatës së Lartë “përtej numrit të lartë të çështjeve të shqyrtuara, cilësia në drejtim të vendimeve për njësimin, zhvillimin e ndryshimin e praktikës gjyqësore, që garantojnë stabilitet dhe siguri juridike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, mbetet orientimi kryesor”.

Sadushi gjatë fjalës së tij tha se problem është numri i lartë i rekurseve që nuk kalojnë testin e pranueshmërisë

“E ndarë sipas fushave, nuk e kalojnë këtë test 74% e rekurseve në Kolegjin Civil, 79% në Kolegjin Administrativ dhe 87% në Kolegjin Penal”, tha Sadushi.

Sadushi theksoi se për këtë vit, në çështjet administrative, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 59% të çështjeve (1.100 çështje), ndërsa individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 41% të çështjeve (761 çështje).

“Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 27% të çështjeve (493 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyqhumbës në 73% të tyre (1322 çështje)”, tha Sadushi.

Sipas Sadushit “moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin për përfaqësimin, që kryejnë avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria”.

Për Sadushin, transparenca mbetet orientim kryesor për Gjykatën e Lartë.

“Sistemi i drejtësisë bëhet më i aksesueshëm dhe i hapur për qytetarët, jo vetëm përmes vendimeve, por edhe përmes mënyrës se si funksionon dhe i qaset publikut”, tha ai duke shtuar se megjithatë “vazhdimisht kërkojmë mënyra dhe mjete të reja efikase për të realizuar këtë mision”.

“Një prej tyre është Baza e të Dhënave të Vendimeve të Gjykatës së Lartë, një platformë elektronike, e emërtuar JUDIX, që mundëson kërkimin dhe aksesin në vendime. Ky projekt, i mbështetur nga Fondacioni gjerman IRZ, ofron një arkivë elektronike të vendimeve me rëndësi për praktikën gjyqësore, kërkimi i të cilave bëhet nëpërmjet: titullit të vendimit, fjalëve kyçe, bazës ligjore, palëve, gjyqtarit relator, abstraktit të shkurtër të vendimit, etj. Shumë shpejt, sapo arkiva elektronike #JUDIX të plotësohet me një numër të konsiderueshëm vendimesh të 10 viteve të fundit, do të jetë e aksesueshme edhe për publikun e gjerë”, tha Sadushi.

Në rritjen e performancës së Gjykatës së Lartë, theksoi Sadushi ndikim të drejtpërdrejtë ka edhe vendosja dhe ruajtja e marrëdhënieve me institucionet homologe dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare.

Gjatë konferencës, Sadushi bëri të ditur se Gjykata e Lartë do të organizojë në Tiranë, në muajin qershor 2025, Konferencën Vjetore të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Sadushi tha se mesazhi i tij është i qartë “Drejtësia është themeli i shoqërisë dhe ne jemi të vendosur ta bëjmë atë një model, që jep besim, siguri dhe krenari për qytetarët tanë”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More