Partia e Lirisë deklaroi sot se 40% e popullatës shqiptare që jeton në fshat pothuajse nuk do të përfitojë asgjë nga fondet buxhetore të vitit të ardhshëm.
Në një konferencë për mediet, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Tedi Blushi u shpreh se ky përjashtim ndodh pasi për bujqësinë me të cilën mbahen 40 për qind e popullatës, ky buxhet diskriminues për fermerët parashikon gjithsej 70 mln euro drejtpërdrejt ose përafërsisht 0,28% të PBB.
“Nuk ka një vend të dytë në rajon dhe në kontinent që shumëzon me zero bujqësinë, degën kryesore të ekonomisë në vend, që zë gati një të pestën e ekonomisë kombëtare dhe kontribuon me rreth 35% në punësim vetëm po ulet dhe po tkurret në mënyrë të pandalshme”, u shpreh Blushi.
Sipas tij, rritja ekonomike në bujqësi mbetet negative në tremujorin e tretë tevitit 2024 me minus 2,54%.
Blushi paraqiti programin e Partisë së Lirisë me 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, që në fokus kanë qytetarin.
“Ne angazhohemi për mbështetje direkte përmes pagesave direkte dhe për mbështeje direkte përmes masave konkrete. Partia e Lirisë do të mbështesë bujqësinë me 30 miliard lekë çdo vit dhe me indeksim progresiv në vitet në vazhdim. Mbështetja e blegtorisë me pagesa direkte për krerë dhe njësi prodhimi, për të 4-fishuar numrin e krerëve, shpendëve dhe prodhimin vendas. Pagesë grant e menjëhershme prej 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor familjar të krijuar dhe përjashtim të tij nga taksat e tatimet për 5 vite”, tha Blushi.