Shkup, 1 shkurt – Ajri i ndotur, fillimi i gjysmë vjetorit të dytë për nxënësit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e numrit të të prekurve nga gripi në vend. Simptomat më të zakonshme përfshijnë temperaturën e lartë, ethet, kollën, dhimbjen e kyçeve dhe muskujve. Ambulancat dhe spitalet janë të mbingarkuara, por mjekët theksojnë se nuk ka arsye për panik.
“Rregulli numër një është që pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm se ilaç për virusin nuk ekziston. Terapia është simptomatike dhe përfshin uljen e temperaturës, hidratimin e organizmit me lëngje dhe elektrolite, ushqyerjen e duhur si dhe mbajtjen e higjienës personale dhe kolektive.”, u shpreh mjeku familjar Dr. Sedat Lumani.
Gjendje më të rënda shëndetësore, që mund të sjellin komplikime, hasen te të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike, ndaj është e nevojshme që këta pacientë të marrin terapi adekuate në kohë. Sipas Dr. Lumanit, mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi.
“Mbrojtja më e mirë kundër gripit sezonal është vaksina, e cila është e provuar shkencërisht. Ajo duhet të merret 40 deri në 50 ditë para sezonit të gripit, pra nga fillimi deri në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit, në mënyrë që imuniteti të zhvillohet në kohë. Kështu, edhe nëse prekem nga virusi, simptomat dhe pasojat do të jenë më të lehta.”, tha Lumani.
Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë javës së katërt të vitit 2025 janë regjistruar 1.878 raste të gripit në Maqedoninë e Veriut.
“Gjatë javës së katërt të vitit 2025 janë raportuar 1.878 raste të gripit apo sëmundjeve të ngjashme me gripin, që përfaqëson një rritje prej 33% krahasuar me javën e kaluar. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri është rritur me 2.4%, ndërsa krahasuar me mesataren e 14 sezoneve të fundit, është shënuar një rritje prej 10.2%. Aktiviteti sezonal i virusit të gripit ka kaluar pragun sezonal.”, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.
Gjatë kësaj periudhe, 72.357 persona janë vaksinuar kundër gripit, me vaksina falas ose komerciale. Ndryshe çdo vit, kryesisht gjatë sezonit të dimrit, gripi sezonal prek rreth 1 miliard njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. OBSH-ja vlerëson se ka rreth 3 deri në 5 milionë raste të rënda me grip sezonal në botë, dhe mes 290.000 dhe 650.000 vdekje në vit në botë.