​Krasniqi: Familja Jashari është e përjetshme, Prekazi është altari i lirisë

nga D V

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka bërë homazhe në Prekaz me rastin e 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Krasniqi theksoi se 27 vite më parë flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi.

“Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë! 27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi! Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se sot, pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll.

“Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari. Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin”, tha Krasniqi.

Krasniqi shtoi se Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More