Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se diaspora ka votuar masivisht Partinë Demokratike, por votimi i tyre është manipuluar.
“Në fakt, diaspora ka votuar masivisht për PD-në, por siç keni parë ju, kutitë e votave dhe votimi i tyre është fund e krye i manipuluar, njëlloj si në Korenë e Veriut apo në diktaturën hoxhiste dikur. Diaspora ka votuar dhe të garantoj se diaspora është kundër narkoshtetit, do dëgjoni ju, do ta thotë fuqishëm fjalën e saj, sepse përdhosja dhe shkelmimi që iu bë vullnetit të lirë të shqiptarëve në Europë do marrë përgjigje të fuqishme dhe shembullore po nga shqiptarët jashtë vendit”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “do të vazhdoj betejën kundër kësaj vjedhje, më monstruozen e 32 viteve në historinë e zgjedhjeve pluraliste”.
“Ka qenë një vjedhje e paralajmëruar, pasi është e denoncuar paraprakisht në 4 rezoluta ndërkombëtare me forcën dhe fuqinë më të madhe. Së dyti, kjo vjedhje është denoncuar në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. Ne vazhdojmë betejën tonë gjer në rikthimin e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve”, tha Berisha.
Berisha vijoi më tej duke theksuar se “beteja jonë do të vazhdojë gjer në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve”.
“Çdo përpjekje për të përligjur vjedhjen, vetëm sa dëshmon amoralitetin dhe bashkëfajësinë e të gjithë atyre që e ndërmarrin, sepse vjedhja kësaj here ka ndodhur publikisht, me vendime qeverie, pa u fshehur fare”, tha Berisha.
Berisha po ashtu falënderoi drejtuesin e fushatës së PD në zgjedhjet e 11 majit, Chris LaCivita “për punën që ka bërë”.
Deklaratat kreu i PD-së e bëri para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.