Sot mediat u mbushën me lajmin se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ishte çuar në spital pas lajmit që doli një ditë më parë në lidhje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Nga burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, mësohet se kryebashkiaku i Tiranës është çuar për të kryer disa analiza dhe nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje apo problematikë.
Ka qenë thjesht dhe vetëm një kontroll rutinë, për çështje normale të shëndetit.
Por, përtej kësaj ne mund të lexojmë ndoshta dhe një strategji si ato të shpeshtat që ne kemi raportuar në lidhje me lëvizjet e kryebashkiakut të Tiranës, me kompanitë e huaja, me lobimet, me studiot ligjore, strategjitë e avokatëve, gazetarëve që i shërbejnë, loja që bëhet me opinionin publik dhe në veçanti sulmet kriminale që u bënë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve gjatë kohës që media publikoi përgjimet.
Strategjia duket të jetë e qartë sepse bëhet një kontroll rutinë mjekësor dhe shpërthen lajmi: “Kontroll mjekësor Erion Veliaj”.
Mos vallë trupa e tij ligjore do të kalojë në aktin tjetër, një lëvizje tjetër strategjike e njohur në fushën e drejtësisë në veprimet që bëjnë studot ligjore përballë gjykatës dhe prokurorisë?
Pra, do të thonë që Erion Veliaj ka probleme me shëndetin dhe nuk mund të mbahet në qeli, por duhet të qëndrojë në shtëpi.
Tani, gjithë çështja është sa profesionistë të vërtetë dhe të sinqertë do të jenë doktorët se ka pasur jo pak raste në Shqipëri që doktorët kanë manipuluar me raporte, me analiza, me vizita, me ekspertiza etj., sepse në rast se doktorët do të thonin që Veliaj vërtet ka një problem të madh shëndetësor atëherë avokatët do t’i bënin një kërkesë gjykatës dhe gjykata normalisht do të jepte arrestin e shtëpisë.
Pra, vizita e sotme dhe shpërthimi i lajmit në media të bëjnë të dyshosh në mënyrë të arsyeshme se kjo mund të jetë një lëvizje e radhës e avokatëve të tij.
Të shpresojmë që Erion Veliaj të gëzojë shëndet të plotë sepse askujt nuk ia urojmë problematikat shëndetësore.
Ai ditët e tij të burgut duhet t’i bëjë në gjendje sa më të mirë shëndetësore edhe psikologjike për të pritur akuzën, gjyqin dhe për ta dëgjuar përballë akuzës sepse ka ardhur koha që Erion Veliaj të mbrohet për të paktën 13 akuza dhe është shumë e rëndësishme që të gëzojë shëndet të plotë, edhe mendor, për t’u përballur me drejtësinë.
Të shpresojmë që kontrolli i sotëm mjekësor dhe shpërthimi i lajmeve të mos kenë qenë taktikë e avokatëve dhe që Veliaj të gëzojë shëndet të plotë.