Mishërimi i Fjalës së Perëndisë, pra: “Fjala u mishërua dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14), vazhdon të mbetet ende një e vërtetë kryesore dhe një bosht i qëndrueshëm i mendimit dhe i jetës së tërë besimtarëve të krishterë. Sikurse e pohojmë me vendosmëri në Simbolin e Besimit, ne besojmë në Jisu Krishtin, “Birin e Perëndisë, të vetë-lindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve… Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve dhe u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, dhe u bë njeri”. Sipas shprehjes së mrekullueshme të Athanasit të Madh, “Ai u mishërua, që ne të hyjnizohemi”. Krishtlindja na zbulon dy faza të Planit Hyjnor: Së pari, ardhjen e Birit dhe Fjalës së Perëndisë në historinë e njerëzimit; së dyti, qëllimin e ardhjes, që është hyjnizimi i njeriut sipas hirit. Gjithashtu, na zbulon se rruga e dashurisë është e vetmja mënyrë për ta bërë të mundur këtë qëllim.
Krishti i mishëruar, i vërteti “Princ i paqes”, nuk “u shfaq në mish” si sundimtar me fuqi, njohje dhe pushtet njerëzor. Perëndia i pafund dhe i paarritshëm mori natyrë të plotë njerëzore, duke theksuar vlerën e pamasë të njeriut. Ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është prejardhja, raca, njohuritë apo aftësitë e tij, por fakti që është njeri.
Përkufizimi “në mish” përfshin çdo gjë materiale dhe shpirtërore që përbën njeriun. Në Personin e Krishtit, natyra hyjnore dhe natyra njerëzore i bëjnë vend njëra-tjetrës pa u tjetërsuar. Kemi të bëjmë me një Ngjarje që është themeli i zbulesës së krishterë, që mbështet çdo vlerë dhe propozim të krishterë.
Krishtlindja shpall tërë gëzim se “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme”
(Jn. 3:16). Madje shpall se Biri i mishëruar i Perëndisë zbulon misterin e Perëndisë Triadik. Kjo e kremte e madhe Zotërore e Lindjes së Perëndisë e ndriçon zemrën me qetësi, ngushëllim, optimizëm dhe bujari. Por, mbi të gjitha, zbulon se Perëndia është dashuri. Dashuria e krishterë nuk është një shpërthim i papërcaktuar emocional, por një qëndrim jete, që shprehet në jetën e përditshme. Është një dritë hyjnore, që ndriçon në tërë qenien. Rrezet e saj i përkufizon në mënyrë shprehëse apostull Pavli: “Dashuria është zemërgjerë, kërkon të mirën. Dashuria nuk ka smirë. Dashuria nuk krekoset, nuk mburret, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon përfitimin e saj, nuk pezmatohet, nuk mendon të ligën, nuk gëzohet me padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën. Dashuria përballon gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka dhe duron gjithçka. Dashuria nuk shteron kurrë (1 Kor. 13:4-7).