Shkup, 5 nëntor – Pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale, Bashkimi Demokratik për Integrim duket se ka reaguar më shpejt se zakonisht. Brenda vetëm pak ditësh, partia ka nisur një proces të dukshëm ristrukturimi të brendshëm duke filluar me ndryshimin e koordinatorit të grupit parlamentar. Kjo lëvizje që pason rezultatet e dobëta në disa komuna kyçe, përfshirë Sarajin shihet si përpjekje për të dërguar sinjal se BDI është e gatshme të reflektojë dhe të reformohet, shkruan Zhurnal.
A po reflekton BDI pas humbjes?
Blerim Bexheti, i cili deri tani ushtronte funksionin e koordinatorit të grupit parlamentar të Frontit Evropian apo AKI-së, ka konfirmuar se nuk do ta mbajë më këtë post. Ai theksoi se tërheqja është bërë me vetëdëshirë dhe jo si rezultat i ndonjë shkarkimi. “U tërhoqëm, nuk na shkarkuan! Do të jem aktiv në BDI”, deklaroi ai, duke nënvizuar se qëllimi është t’u jepet hapësirë figurave të reja. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe zëvendëskoordinatorja Arbana Pasholli, e cila sqaroi se dorëheqjet janë bërë “me mirëkuptim dhe vetëiniciativë”, dhe se në vend të tyre janë propozuar Rina Ajdari dhe Dijana Toska.
Ky hap në pamje të parë shihet si teknik dhe organizativ mund të interpretohet si fillimi i një procesi më të gjerë reformash. Nëse BDI e përkthen këtë lëvizje në kulturë të re politike me më shumë hapësirë për gratë, të rinjtë dhe figura të reja që mund të ofrojnë qasje moderne në politikë atëherë kjo do të përbënte një zhvillim të shëndetshëm jo vetëm për partinë, por edhe për demokracinë në vend. Sepse vetëm një opozitë e fuqishme, e reformuar dhe me legjitimitet të ri moral, mund të shërbejë si korrektues i pushtetit.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky do të jetë një proces i thellë, apo një riformatim kozmetik për të ulur pakënaqësitë pas zgjedhjeve. BDI ka qenë shpesh e kritikuar për mungesë të reflektimit real dhe për tendencë të centralizimit të vendimmarrjes rreth disa figurave të pandryshueshme. Nëse reformat kufizohen në emërime të reja, por jo në ndryshim të mënyrës së funksionimit atëherë efekti do të jetë më shumë imazh sesa substancë.
Në çdo rast, fakti që dorëheqjet dhe rotacionet e para kanë ndodhur pa tensione publike pa përçarje dhe me gjuhë bashkëpunuese, është sinjal pozitiv. Ai tregon se në BDI po lind një vetëdije e re për nevojën e reformimit të brendshëm dhe kjo është e domosdoshme për çdo parti që pretendon të jetë përfaqësuese e një elektorati modern dhe evropian.
Kujtojmë që, reformat e BDI-së nëse vijojnë me seriozitet dhe transparencë, mund të jenë test i parë i pjekurisë së saj politike pas më shumë se dy dekadash në skenë. Në fund të fundit, në politikën shqiptare të Maqedonisë së Veriut rikthimi i besimit qytetar fillon pikërisht aty ku përfundojnë justifikimet me përgjegjësi, ndryshim dhe hapje reale. /Zhurnal.mk