A paraqet BDI kërcënim për paqen?

nga I.A

Shkup, 7 gusht – Bashkimi Demokratik për Integrim nga parti serioze dhe faktor për procese të rëndësishme të vendit është shndërruar në parti që cenon sigurinë e vendit sipas kryeministrit Mickovski. Sa ka kapacitet BDI për të shkaktuar destabilizim brenda vendit është çështje diskutabile. Por, nëse informatat që ka kryeministri janë të vërteta që BDI ka ptendime që në vjeshtë të shkaktojë destabilizim të vendit kjo flet shumë për këtë parti, pasi dëshmojnë që po e përjetojnë rëndë humbjen e pushtetit. Pra, kur BDI është në pushtet bën ky shtet kur BDI është në opozitë shteti duhet të digjet. Ky mentalitet dhe kjo logjikë e të menduarit është puro autokratike dhe e kthen vendin në diktaturë totale. Por, e vërteta është se gjithë kjo zhurmë mbetet në suaza të planeve në letër, shkruan Zhurnal.

“BDI kërcënim për paqen dhe stabilitetin e shtetit” – Mickoski jep detaje për deklaratën e tij –

Kryeministri Hristijan Mickoski ka dhënë detaje në lidhje me deklaratën se BDI përbën kërcënim për paqen dhe stabilitetin e shtetit. Ai tha se qeveria disponon me informata nga kanalet e ndryshme të cilat dëshmojnë se udhëheqja e BDI-së, po përgatitet që gjatë vjeshtës ta destabilizojë vendin.

Mes tjerash konfirmoi se MPB po e heton rastin, ndërkaq për të njëjtin do të hartojë dhe raport, për të cilin do ta njoftojë opinionin pasi të përfundojë hetimi.

“Atë që pata për ta thënë, e thash në atë intervistë. Dhe ajo nuk është thënë pasi që duam të bëjmë politikë, por ajo është thënë pasi që kemi informata me të cilat disponojmë, të cilat informata janë marrë nga më shumë kanale se udhëheqësia e Bashkimit Demokratik për Integrim. Kjo udhëheqësi e Bashkimit Demokratik për Integrim në tentim për ta mbrojtur kapitalin që e ka krijuar në 20-22 vite, do të ndërmarrë hapa në drejtim të destabilizimit të shtetit, që është shumë e rëndësishme që të përmendet. Ne si Qeveri kemi të drejtë të plotë ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe paqen e qytetarëve. Kjo praktikisht është edhe qëllimi i një shteti. Dhe presim ajo që të ndodh, këtë vjeshtë, në bazë të atyre informatave të cilat i kemi. Të presim koha të japë përgjigje, nëse ato informata do të konfirmohen ose nëse informatat nuk do të jenë të sakta”, tha Hristijan Mickoski.

Nga BDI akoma ëndërrojnë të jenë pjesë të pushtetit, partinë e paraqesin si shtetformuese –

BDI nuk kanë qëndruar të heshtur ndaj kësaj deklarate të Mickovskit të cilët edhe njëherë kanë shprehur në mënyrë indirekte edhe dëshirën e tyre që të jenë pjesë e pushtetit, duke deklaruar që BDI është parti shtetforumuese. dhe garantues i paqes dhe stabilitetit.

 “BDI si parti shtetformuese është garant i paqes, stabilitetit, mirëqenies dhe të ardhmes evropiane të vendit. Pa dashur t’i komentojmë spinet dhe bllofet politike, duam të qartësojmë se ne kemi marrë mandat dhe përgjegjësi nga votuesit shqiptarë për të mbrojtur legjitimitetin, vullnetin politik dhe dinjitetin e votës dhe popullit shqiptar në Maqedoni të Veriut. Do t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe mjetet demokratike për të ndaluar poshtërimin dhe majorizimin e shqiptarëve nga imponimi i vazalëve. Sa i takon akuzave të pabaza për shkelje ligji, edhe njëherë ftojmë partitë politike për veting të të gjithë bartësve të funksioneve publike me asistencë ndërkombëtare. Vetëm kjo do t’i ndalojë bllofet, gjuetinë e shtrigave dhe keqpërdorimin e luftës kundër korrupsionit për qëllime politike. Ftojeni menjëherë komunitetin ndërkombëtar të dërgojë ekspertë për veting të plotë për secilin prej nesh dhe prej jush, përfshirë edhe hetimin për procesin e privatizimit”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

LSDM mbron sërish BDI-në, shenja e parë e bashkëpunimit opozitar –

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe ka reaguar ndaj kryeministrit të vendit, Hristijan Mickoski dhe deklaratës së tij se BDI në vjeshtë po planifikon destabilizim të vendit. Filipçe shkruan në Facebook se Mickoski me këto deklarata po manipulon qytetarët dhe nxit tensione, ndaj kërkon prej tij që informacione të tilla t’i ndaj me institucionet përgjegjëse e jo të bëhët bashkëpunëtor.

“Nëse Mickoski ka ndonjë informacion për destabilizimin e mundshëm apo prishjen e paqes në vend, duhet menjëherë t’i ndajë me institucionet kompetente. Përndryshe, ai bëhet bashkëpunëtor apo faktor politik që mund të ketë interes në një situatë të tillë. Informacioni për destabilizimin që kryeministri ka publikuar dy ditë me radhë shkakton trazira te qytetarët dhe është përgjegjësi e tij personale të parandalojë një situatë të tillë. Nëse ai vetë nuk e ndan informacionin, i bëj thirrje organeve hetimore që të nisin procedimet dhe të hetojnë këto pretendime. Si kryetar i LSDM-së, e cila është parti përgjegjëse, gjithmonë jam kundër çdo forme të destabilizimit. Po kështu, nuk duhet të lejohen manipulimet me ndjenjat e qytetarëve dhe shkaktimi i gjendjes tensionuese, pa veprime konkrete nga shteti”, ka shkruar Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Megjithatë për një moment opozita për BDI-në ndikoi sikurse një shok terapi dhe u shndërruan në armiq të po të njëjtit shtet. Pra, sot nga këndi opozitar po shpikin ide për ndryshim të funksionimit të shtetit. Kjo përpos që nuk bëhet është vetëm dëshmi shtesë se po e përjetojnë rëndë kalimin në opozitë. Nëse dikur krekoseshin se nuk kanë nevojë fare për pushtet tani po lëvizin çdo gurë dhe po bëjnë gjitha përpjekjet e mundshme vetëm e vetëm që të rikthehen sërish në pushtet.

Por, një gjë që e dinë po e harrojnë, se kush do të jetë në pushtet vendos vetëm populli nuk mjafton vetëm dëshira për të qenë pjesë e pushtetit. Populli shqiptarë vlerësoi bashkimin e shqiptarëve VLEN dhe i shpërbleu me votë, nga ana tjetër partia më jetë gjatë në pushtet BDI bërë një mix koalicion dhe këtë populli shqiptarë e ndëshkoi. Prandaj, është koha të shohim se sa VLEN e dëshiron të mirën e këtij populli dhe sa do të punojë për këtë vend. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More