Adamová takon Tabakun: Mbështetje për Integrimin në BE; Luftë ndikimeve të huaja, përfshi ato ruse

nga D V

Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Republikës Çeke, Markéta Pekarová Adamová, zhvilloi sot një takim me kryetaren e komisionit për Çështjet Europiane, deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Takimi përforcoi angazhimin e përbashkët për procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Çekisë.

Adamová vlerësoi marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve, duke theksuar aleancën e tyre brenda NATO-s dhe rëndësinë e luftës kundër ndikimeve të huaja, përfshirë ato ruse.

Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Çekisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke ofruar asistencë në çdo hap të procesit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që ajo evidentoi ishte përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit, si një mënyrë për të siguruar qëndrueshmëri dhe përfshirje më të gjerë.

Nga ana e saj, Tabaku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë, duke kujtuar që procesi i integrimit të Shqipërisë nisi pikërisht gjatë Presidencës Çeke në 2013. Ajo ngriti shqetësimin për emigracionin masiv nga Shqipëria, duke theksuar se 40% e forcës së punës ka emigruar drejt vendeve të BE-së, një sfidë kritike për të ardhmen e vendit.

Në diskutim u prekën edhe sfidat kryesore për demokracinë në Shqipëri, përfshirë dështimin për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi reformën zgjedhore dhe nevojën për të hapur procesin e integrimit për më shumë aktorë kombëtarë.

Tabaku nënvizoi se Komisioni për Çështjet Europiane duhet të bëhet një qendër e informacionit dhe koordinimit për procesin e integrimit.

Ato diskutuan rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve tregtare dhe investimeve mes Shqipërisë dhe Çekisë, duke parë këtë si një mundësi për rritjen ekonomike.

Në fokus ishte gjithashtu çështja e Kosovës dhe stabiliteti rajonal, ndërsa u nënvizua nevoja për zgjidhje konstruktive dhe bashkëpunim më të gjerë në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit u adresuan edhe çështjet që prekin të rinjtë, përfshirë banesat e përballueshme, rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardeve të punës. Të dyja palët ranë dakord se integrimi europian është një mjet i fuqishëm për të trajtuar këto sfida dhe për të krijuar mundësi të reja për brezin e ri.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More