Shkup, 26 shtator – Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu nuk ka informacion se perimet dhe frutat nga Trubareva nuk duhet të konsumohen. Ai sot, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, tregoi se sipas rezultateve zyrtare të analizave të kryera, nuk ka radioaktivitet në ujë dhe as metale të rënda të rrezikshme në tokë pas zjarrit në këtë fshat të Shkupit.
Lidhur me skriningun, ai përsëriti se gjithsej 18 persona duhet të vazhdojnë me procedurat e mëtejshme mjekësore.
Kjo, vuri në dukje, nuk është faza përfundimtare, sepse sipas protokolleve, skriningu do të duhet të bëhet edhe dy herë, pas tre dhe gjashtë muajsh.

Sipas Aliut, institucioneve u është dërguar një letër – nëse ndonjë nga zjarrfikësit ose punonjësit nga ministria e Punëve të Brendshme ose e Mbrojtjes që ishin të përfshirë në shuarjen e zjarrit ndjejnë ndonjë simptomë, duhet të paraqiten në institucionet shëndetësore.
“Dy ditë kishim skrining aktiv, ditën e parë kaluan 111 persona, nga të cilët 11 vazhdojnë në Klinikën e Pulmologjisë, kurse ditën e dytë 103 qytetarë kaluan nëpër procedura dhe 7 prej tyre vazhdojnë në Pulmologji. Lidhur me frutat dhe perimet nga Trubareva, u bënë matje në ajër, ujë dhe tokë, të cilat treguan se nuk kishte elementë mbi kufijtë e lejuar. Sipas protokollit, vlerat do të kontrollohen përsëri pas një muaji dhe pas shiut të parë. Instituti i Shëndetit Publik do të informojë për elementët, dhe shpresoj që edhe institucionet e tjera të jenë aktive. Ne do të dalim me rekomandime. Por atje nuk ka radioaktivitet, është brenda kufijve normalë. Kemi një Shtab Krize, deri më tani nuk kam informacion se perimet dhe frutat nuk duhet të konsumohen”, nënvizoi ministri.