Analizë/Ahmeti bëri të ditur se nuk do të luajë në kartën e destabilizimit, BDI më tepër do të jetë “opozitë konstruktive bojkotuese”, se sa destruktive!

nga I Z

Shkup, 29 maj – Kreu i BDI-së Ali Ahmeti i shoqëruar nga krerët tjerë të koalicionit Fronti Evropian sot para mediave tha se fillojnë rrugëtimin e tyre për të mos lejuar majorizimin që rëndon bashkëjetesën dhe ftoi qytetarët t’u bashkohet në përpjekje për të ruajtur votën, legjitimitetin dhe Marrëveshjen e Ohrit. Duke ju referuar një marrëveshje bashkëqeverisje në horizont mes VMRO-së dhe VLEN-it, Ahmeti tha se kjo e Frontit nuk është betejë për pushtet por për t’u siguruar që vendi do të ecë përpara.

“Prandaj, ne, bashkë, po nisim betejën e respektimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit që bazohet në legjitimitetin dhe të drejtën zakonore për përfaqësim nga ata që e kanë legjitimitetin e komuniteteve. Kur respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, shoqëria përparon dhe të gjithë bashkë barabarësisht jemi qytetarë të barabartë.

Kur nuk respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, kthehemi në sisteme dhe kohëra tjera që bashkarisht i kemi braktisur.
Prandaj, mos respektimi i legjitimitetit, është poshtërsim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve.
Këtë poshtërsim, për fat të keq, po e mundësojnë edhe ca që firmosën deklaratë të përbashkët me ne, që deklaruan publikisht disa herë që nëse humbasin me një votë e me një deputet më pak, do të tërhiqen, por për ambicie të vogla personale, ose arsye tjera të panjohura për opinionin e gjërë dhe me urrejtje të madhe ndaj nesh, u nënshtruan dhe mundësuan etablimin e hegjemonisë etnike.

Ne po nisim rrugëtimin për të mos e lejuar këtë majorizim që rëndon bashkëjetesën dhe demokracinë dhe ftojmë qytetarët që të na bashkangjiten në përpjekjet tona për ta mbrojtur votën, legjitimitetin dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe Marrëveshjen e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë për të ardhme europiane.

Vota juaj nuk guxon të shkojë huç dhe ne jemi këtu bashkë që ti prijmë fitores tuaj dhe ta zbatojmë vullnetin tuaj fitimtarë.

Ne vlerësuam, që këto çështje janë tejkaluar dhe jemi zhvilluar si shoqëri me respekt të ndërsjellë mbi vullnetin e njëri tjetrit për të mirën e shoqërisë së përbashkët.

I takon gjeneratës tonë, që bashkë të mos lejojmë zhbërje të arriturave dhe të pamundësojmë përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit”, deklaroi Ahmeti. Kreu i BDI-së nuk zbardhi hapat e ardhshme të koalicionit, por tha se do të krijojnë një agjendë veprimi. Kjo krijon përshtypje se si duket qasja e BDI-së në katër vitet e ardhshme do të jetë ashtu siç ishte në ditën e parë të konstituimit të Kuvendit: do të gjejnë shkaqe për të bojkotuar, por nuk do prishin shumë punë me bojkotin e tyre, sepse qeveria e re, mund të thuhet, ka më shumë deputetë se sa i nevojiten për funksionim normal, shkruan Zhurnal.

Poashtu, nuk janë për t’u nënçmuar as paralajmërimet për transfere të reja të deputetëve nga opozita tek shumica parlamentare.

Kjo do e bëjë BDI-në një subjekt opozitar në “bojkot të vazhdueshëm konstruktiv”. Në këtë mënyrë, deri në krijimin e rrethanave të reja të volitshme politik për ta, duke bojkotuar BDI do t’i ikë situatës së palakmueshme që opinioni t’i shohë ulur në bankat opozitare dhe më tepër do të funksionojë në një hapësirë politike gjysëmimagjinare, shoqëruar gjatë tërë kohës me frazën “do e shihni edhe pak se çka kemi me bë”. Krejt kjo do të bëhet për të mbajtur gjallë shpresat e simpatizuesve të vetë për rikthim të shpejtë në pushtet, por edhe për të mbajtur gjallë frikën tek administratorët se BDI sërish mund të jetë subjekti që do të vendosë për punësime, avancime, përjashtime, ose mos thashtë Zoti, degradim të atyre që nuk ua japin votën.

Tone të ashpra si duket më tepër do të përdoren për të mbrojtur funksionarët e tyre nga përndjekje eventuale gjyqësore, se sa për të rrëzuar qeverinë. Në favor të këtij qëllimi nuk shkon për momentin asnjë element politik, e as që vërehet ndonjë disponim i tillë tek faktori ndërkombëtar. Insistimi tek legjitimiteti është i mbështjellur me “mjegull të dyfishtë”. Pikësëpari në opinion ekzistojnë dilema të mëdha nëse Fronti mund të insistojë tek legjitimiteti i shqiptarëve, për shkak se është i përbërë nga më shumë komunitete. Nga ana tjetër, është çështja e vitit 2016, kur BDI nuk bëri koalicion me VMRO-DPMNE-në si fituese e zgjedhjeve parlamentare, por me LSDM-në, arsyetim që tani me të madhe shfrytëzohet nga VMRO-DPMNE për të refuzuar pretendimet e BDI-së .

Edhe po të mos ishte kjo, BDI sërish do e kishte vështirë të bëjë një kthesë si në periudhën 2006-2008. Entuziazmi i shqiptarëve në atë kohë ishte shumë më i lartë. BDI asokohe ende nuk kishte funksionarë e familjarë të funksionarëve të pasuruar me “pikën e djersës” deri në nivel multimilionerash. Sot është krejtësisht e kundërta dhe kjo demotivon shqiptarët që në forma më radikale të dilnin të protestojnë për “legjitimitetin”. Sot nuk kemi rini në vend si bartëse e ndryshimeve, sepse një pjesë e madhe kanë ikur në perëndim, e dihet se pikërisht BDI “lavdërohet” si meritore për rënien e papunësisë tek rinia duke “punuësuar” ata në vendet perëndimore, shkruan Zhurnal.

Kapacitetin paksa të shteruar politik të BDI-së dhe Ali Ahmetit e ka vlerësuar edhe VMRO-DPMNE. Në deklarimin e Ahmetit se “nuk i trembet qerpiku” prej Mickovskit, VMRO-DPMNE është përgjigjur me tone të ashpra, duke e cilësuar si një “fëmijë të lazdruar që qan për lodra”.

Madje nga VMRO-DPMNE thonë se premtimi i parë i tyre është realizuar, me atë që BDI do të shkojë në opozitë.

“Nuk ka as mazhoritarizëm, as shovinizëm, as nuk ka rëndësi që Ahmeti është ndjerë i ofenduar, e rëndësishme është që vullneti i shumicës është që BDI të shkojë në opozitë dhe të përballet me përgjegjësi”.

“Nëse dalja e BDI-së në opozitë është shkelje e Marrëveshjes Kornizë, atëherë edhe Ali Ahmeti e ka shkelur atë kur vendosi ta lërë VMRO-DPMNE-në jashtë qeverisë dhe nuk respektoi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016 ku VMRO-DPMNE fitoi. Që do të thotë vetëm se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk ka të bëjë me faktin nëse BDI është pushtet apo opozitë”.
“Ahmeti duhet të mos sillet si një fëmijë i prapë që qan për një lodër që nuk është e tij, sepse VMRO-DPMNE nuk është SDS dhe as shkuarja në BDI nuk ka lidhje me qëndrimin e VMRO-DPMNE -së ndaj shqiptarëve. Sepse BDI nuk janë vetëm shqiptarët në Maqedoni, BDI është segmenti që ka vjedhur si nga shqiptarët ashtu edhe nga maqedonasit. Nëse Ahmeti mendon se kërkesat e reja dhe antishtetërore etnike të përkthyera në dokumente dhe platforma do ta shpëtojnë atë nga dalja në opozitë dhe fshehja e krimeve të partisë së tij, ai duhet të dijë se kjo do t’i japë fund shpejt karrierës së tij”, thonë nga VMRO-DPMNE./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More