Apeli i GJKKO-së: Berisha, “detyrim paraqitje” dy herë në muaj

nga D V

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mori sot vendimin për të lënë në “detyrim paraqitjeje” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi shpalli sot vendimin, i cili parashikon ndryshimin e vendimit të datës 27 nëntor 2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Apeli i GJKKO-së vendosi rrëzimin e kërkesës së të pandehurit Sali Berisha për shuarjen e masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin e datës 30 dhjetor 2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin e datës 25 janar 2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Po ashtu, Apeli i GJKKO-së vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit Sali Berisha me vendimin e datës 30 dhjetor 2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin e datës 25 janar 2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Apeli i GJKKO-së urdhëroi të pandehurin Sali Berisha të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve.

Pas marrjes së vendimit, Genc Gjokutaj, avokati i kryetarit të PD-së, tha se vendimmarrja nëse do të paraqitet apo jo, i takon Sali Berishës.

“Ne nuk bëjmë parashikime, vendimmarrja është e Berishës”, tha ai, duke shtuar se “vendimin nuk e kemi të qartë”.

“Eshtë vendim i pakuptimtë. Duhet të lexojmë vendimin”, u shpreh ai.

SPAK kishte kërkuar revokimin e vendimit të GJKKO-së që i hoqi Sali Berishës masën “arrest shtëpie”, por Apeli i Posaçëm caktoi masë të re, atë të detyrimit të paraqitjes.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More