Shkup, 23 nëntor – Remzi Miftari, i dënuar me 10 vjet burg për aksidentin fatal të autobusit të “Durmo Turs” nga Gostivari në autostradën Shkup-Tetovë pranë Llaskarcës, është shpallur i arratisur pasi nuk është paraqitur për të vuajtur dënimin në burgun “Idrizovë”, përcjell INA. Në aksidentin fatal të njohur të Llaskarcës, me ç’rast ndodhi aksidentimi i autobusit për shkak të parregullsive teknike humbën jetën 16 pasagjerë.
Ai duhej të fillonte vuajtjen e dënimit që në muajin maj, por policia e Tetovës nuk e ka gjetur në shtëpi. Autoritetet kufitare kanë raportuar se Miftari nuk ka lënë vendin, prandaj dyshohet se po fshihet brenda Maqedonisë. Aktualisht po kryhet kërkim në disa lokacione.
“Në urdhër për ekzekutimin e detyrueshëm u kam dhënë para 3-4 ditësh. Ende nuk kam marrë njoftim as nga MPB, as nga KP ‘Idrizovo’ se i dënuari është gjetur dhe dërguar në burg për vuajtjen e dënimit,” deklaroi gjyqtari përgjegjës për sanksionet në Gjykatën Themelore të Gostivarit.
Nga burgu “Idrizovë” konfirmuan se personi i dënuar ende nuk është sjellë në burg.