Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen e plotë të Kosovës për operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump, duke e cilësuar mbajtjen përgjegjës të aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave si “thelbësor për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”.
Në një postim në rrjetet sociale sot në 3 janar, Kurti thekson se Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, qëndron fuqishëm në krah të përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e vlerave demokratike perëndimore.
Ai shton se Prishtina zyrtare ofron mbështetje të plotë edhe kundër, siç shprehet, “cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave”, duke theksuar se këto përpjekje nuk kufizohen vetëm në Amerikën Latine, por shtrihen edhe në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Në këtë kuadër, Kurti rithekson nevojën për rritjen e vëmendjes dhe vigjilencës ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët, sipas tij, “në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake”, duke u shprehur se këto kërcënime përbëjnë rrezik serioz për stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare.