Policia italiane ka arrestuar një nga personat më të kërkuar të organizatës mafioze ”Camorra” në Napoli, pasi e gjetën atë të fshehur në një dhomë sekrete brenda një apartamenti.
”Ciro Andolfi, i cili renditej në listën e 100 të arratisurve më të rrezikshëm të Ministrisë së Brendshme, u arrestua në një apartament në zonën Barra të Napolit”, njoftoi sot policia.
”Andolfi, 49-vjeç, ishte në arrati që nga viti 2022 dhe duhet të vuajë një dënim prej 8,3 vitesh për dënime të mëparshme”, thanë hetuesit.
Dënimet e tij përfshijnë pjesëmarrje në një organizatë kriminale mafioze, shantazh dhe korrupsion me stil mafioz.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë karabinierët që hyjnë në ndërtesë natën, përpara se të zbulojnë një hapësirë të fshehur pas një muri të dhomës.
Hyrja në strehim ishte e fshehur pas një radiatori.
”Camorra” vepron kryesisht në Napoli dhe Kampania.
Ndryshe nga struktura hierarkike e ”Cosa Nostra”-s, ”Camorra” përbëhet nga klane autonome.