Gjeorgjia ka bërë hapa prapa në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, tha një diplomat i BE-së të martën pas asaj që ai e quajti një përditësim “shkatërrues” nga Brukseli mbi perspektivat e anëtarësimit të saj, sipas “Reuters”.
Pawel Herczynski, ambasadori i BE-së në Gjeorgji, tha se vendi i Kaukazit Jugor ishte më larg anëtarësimit në bllok sesa kur u bë kandidat për anëtarësim në vitin 2023.
Komisioni Evropian tha në raportin e djeshëm se BE-ja mund të mirëpresë anëtarë të rinj që në vitin 2030, ndërsa vlerësoi Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë për progresin e tyre në reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar.
“Gjetjet e raportit janë për fat të keq shkatërruese për aspiratat evropiane të Gjeorgjisë”, u tha Herczynski gazetarëve në Tbilisi.
“Gjeorgjia nuk është në trajektoren për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së, as në vitin 2030 dhe as më vonë”, tha ai.
Dikur ndër shtetet më demokratike dhe pro-perëndimore që dolën nga Bashkimi Sovjetik, Gjeorgjia është bërë gjithnjë e më autoritare që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe ka thelluar lidhjet ekonomike me Rusinë fqinje.
Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” ka marrë masa të ashpra ndaj politikanëve të opozitës, duke burgosur disa prej tyre, ndërsa policia ka rritur arrestimet e protestuesve që marrin pjesë në demonstrata të rregullta antiqeveritare.
“Ëndrra Gjeorgjiane” tha vitin e kaluar se po ngrinte bisedimet e pranimit me BE-në, megjithëse qeveria tha se ende dëshiron që Gjeorgjia të bashkohet me bllokun, duke ruajtur atë që i quan vlerat e saj tradicionale ortodokse të krishtera.