Të martën u mbajt raundi i 24-të i bisedimeve midis Përfaqësuesve Specialë të Kinës dhe Indisë mbi Çështjen Kufitare, gjatë të cilit u arrit një konsensus prej 10 pikash.
1. Të dyja palët vlerësuan pozitivisht progresin e bërë në zbatimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur nga liderët e dy vendeve që nga takimi i tyre në Kazan dhe vunë në dukje se rajonet kufitare midis Kinës dhe Indisë kanë mbetur paqësore dhe të qëndrueshme që nga raundi i 23-të i bisedimeve.
2. Të dyja palët rikonfirmuan rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonet kufitare, si edhe theksuan nevojën për të zgjidhur çështjet përkatëse përmes konsultimeve miqësore, me qëllimin për të nxitur zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve Kinë-Indi.
3. Të dyja palët ranë dakord t’i qasen situatës nga perspektiva politike e marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe dhe të kërkojnë një kornizë të drejtë, të arsyeshme dhe reciprokisht të pranueshme për zgjidhjen e çështjes së kufirit, në përputhje me parimet udhëheqëse politike të dakorduara nga të dy vendet në vitin 2005.
4. Të dyja palët ranë dakord të krijojnë një grup ekspertësh të demarkacionit, në kuadër të Mekanizmit të Punës për Konsultim dhe Koordinim (WMCC) mbi Çështjet Kufitare Kinë-Indi, me qëllimin për të eksploruar mundësinë e avancimit të negociatave të demarkacionit, në zonat ku kushtet janë të përshtatshme.
5. Të dyja palët ranë dakord të krijojnë një grup pune në kuadër të WMCC për të avancuar menaxhimin dhe kontrollin efektiv të kufijve, duke ruajtur paqen dhe stabilitetin në zonat kufitare.
6. Përveç bisedimeve ekzistuese në nivel të përgjithshëm në seksionin perëndimor të kufirit, të dyja palët ranë dakord të krijojnë një mekanizëm bisedimesh në nivel të përgjithshëm në seksionet lindore dhe qendrore, si edhe të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh në nivel të përgjithshëm në seksionin perëndimor, sa më shpejt të jetë e mundur.
7. Të dyja palët ranë dakord të përdorin mekanizmat e menaxhimit dhe kontrollit të kufirit përmes kanaleve diplomatike dhe ushtarake, duke arritur së pari konsensus mbi parimet dhe metodat përkatëse, me qëllim për të nxitur proceset e deeskalimit dhe menaxhimit.
8. Të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi bashkëpunimin ndërkufitar të lumenjve dhe ranë dakord të përdorin mekanizmin në nivel ekspertësh për lumenjtë ndërkufitarë, për të ruajtur komunikimin mbi rinovimin e memorandumit të mirëkuptimit për raportimin e përmbytjeve të lumenjve ndërkufitarë. Pala kineze ra dakord të ndajë informacion hidrologjik emergjent mbi lumenjtë përkatës me palën indiane, bazuar në parimet humanitare.
9. Të dyja palët ranë dakord të rihapin tre tregje tradicionale tregtare kufitare.
10. Të dyja palët ranë dakord të zhvillojnë raundin e 25-të të bisedimeve në Kinë në vitin 2026.