Festat e fundvitit kanë sjellë një atmosferë festive edhe në shkollat e vendit, duke i “veshur” me ngjyra dhe gjallëri përmes programeve artistike me këngë dhe kërcime.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale performancën e realizuar nga nxënësit e shkollës “Gustav Mayer” në Tiranë me rastin e festave.
“Atmosferë festive nga oborri i shkollës “Gustav Mayer”, me meloditë e fundvitit përmes programit Art dhe Zeje, si një kartolinë urimi”, shkruan Rama.
Nxënësit të veshur me veshje festive dhe kapuçët e babagjyshit sollën nën ritmet e muzikës një performancë shumë të bukur, që u interpretua në oborrin e shkollës.
Aktivitetet e organizuara në shkollat e vendit kanë sjellë buzëqeshje dhe emocione, duke e kthyer shkollën në një hapësirë feste në prag të ndërrimit të viteve.