Shtetasi kosovar, Liridon Rexhepi u arrestua gjatë të martës nga autoritetet turke nën dyshimin se i njëjti menaxhonte rrjetin financiar të Mossad-it në Turqi.
Ai u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit i Policisë së Stambollit.
Arianit Koci, avokati i Rexhepit i autorizuar nga familja e tij, ka thënë për Telegrafin se klienti i tij është duke u mbajtur në burgun e Sigurisë së Lartë në Stamboll.
Avokati shtoi se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, për momentin nuk mund të ndaj më shumë informacione.
Koci gjithashtu theksoi se familja e Liridon Rexhepit, insiston se djali i tyre është i pafajshëm dhe se janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me autoritetet kosovare dhe turke për të zbardhur rastin.
Rexhepi, për të cilin thuhet se ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës, mësohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.
MIT ka përcaktuar se të gjitha lëvizjet e Rexhepit, veçanërisht lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij, janë monitoruar dhe ai ka bërë transfere të shumta parash për personelin në terren në Turqi nëpërmjet Western Union.
Aktivitetet e tij thuhet se janë monitoruar nga 25 gushti kur ai ka hyrë në Turqi.